Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka thënë se prioriteti i tij ishte “ruajtja e paqes” në Irlandën e Veriut, ndërsa ai u nis për një vizitë në Belfast.
Ai do të arrijë në qytet mbrëmjes e së martës për të shënuar 25 vjetorin e marrëveshjes së paqes “Good Friday”.
Marrëveshja e vitit 1998 i dha fund trazirave dhe konfliktit të dhunshëm prej dekadash në Irlandën e Veriut në të cilin u vranë mijëra njerëz.
Një operacion i madh sigurie është vendosur tashmë në Belfast për vizitën e Biden.
Ndërsa ai ka lavdëruar atë që politikanët bënë për të siguruar paqen në 1998, vizita e tij është lënë në hije nga fakti se qeveria e Irlandës së Veriut për ndarjen e pushtetit nuk po funksionon.
Ajo u rrëzua vitin e kaluar kur Partia Unioniste Demokratike (DUP) – një nga partitë më të mëdha në Stormont – u tërhoq si pjesë e një proteste kundër rregullave tregtare për Irlandën e Veriut.
“Mezi pres të shënoj përvjetorin në Belfast, duke nënvizuar angazhimin e SHBA-së për ruajtjen e paqes dhe inkurajimin e prosperitetit”, deklaroi Biden, transmeton BBC.
Vizita e tij në Belfast do të jetë pjesa e parë e një qëndrimi katër-ditor në Irlandë, gjatë së cilës ai do të diskutojë për rrënjët e tij irlandeze dhe do të takohet me të afërmit irlandezë.
Udhëtimi i Biden vjen dy javë pasi intelegjenca MI5 tha se niveli i kërcënimit nga terrorizmi në Irlandën e Veriut ishte rritur.