Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, do të anulojë shumën deri në 10 mijë dollarë kredi studentore federale për miliona studentë amerikanë që fitojnë më pak se 125 mijë dollarë çdo vit. Biden, gjithashtu, do t’i falë 20 mijë dollarë borxh për studentët në “Grantet Pell”, të cilat zbatohen për ata që kanë nevojë më të madhe financiare.
Rreth 43 milionë amerikanë i detyrohen një totali prej 1.6 trilionë dollarësh borxh federal studentor. Gati një e pesta i detyrohet më pak se 10 mijë dollarë.
“Administrata ime po njofton një plan, për t’u dhënë mundësi familjeve të punës dhe klasës së mesme, ndërsa përgatiten të rifillojnë pagesat e kredisë federale studentore në janar 2023,” tha presidenti Biden në Twitter.
Pauza e përkohshme e kredisë studentore, e cila është vendosur për herë të parë në mars të vitit 2020, do të zgjatet për një kohë përfundimtare deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ky njoftim vjen pas më shumë se një vjet debati intensiv të brendshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe presionit në rritje nga demokratët progresivë. Udhëheqësi i shumicës së demokratëve në Senat, Chuck Schumer dhe senatori Elizabeth Warren nga Massachusetts, janë ata që e kishin shtyrë presidentin Biden të përdorte fuqinë e tij ekzekutive për të fshirë borxhet e huamarrësve.
Plani i së mërkurës së 24 gushtit është më pak se plani prej 50 mijë dollarësh për huamarrës që kishin kërkuar Schumer dhe Warren, raporton BBC.
Republikanët dhe disa demokratë të moderuar kanë thënë se anulimi i borxhit do të rrisë inflacionin, duke u dhënë amerikanëve më shumë para për të shpenzuar. Dhe të tjerë thonë se falja e borxhit është e padrejtë ndaj atyre që kanë shlyer tashmë kreditë studentore.
Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka kritikuar planin në Twitter.
“Kush do të duhet të paguajë për mashtrimin e transferimit të borxhit të Biden? Amerikanë punëtorë të palodhur që kanë shlyer borxhet e tyre ose nuk kanë marrë kurrë borxhin e kredisë studentore në fillim ”, ka shkruar ai.
Disa ligjvënës demokratë janë tërhequr duke thënë se anulimi i kredive studentore ndihmon në adresimin e pabarazive ekonomike racore.
Sipas një studimi të Institutit Brookings, studentët me ngjyrë kanë më shumë gjasa të marrin hua studentore federale dhe në shuma më të larta se amerikanët e tjerë. Katër vjet pas fitimit të diplomës bachelor, huamarrësit me ngjyrë i detyrohen mesatarisht rreth 25 mijë dollarë më shumë se kolegët e tyre të bardhë.