Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, tha se Izraeli po respekton kërkesën e tij që të lejojë më shumë ndihma në Gazë, një ditë pasi paralajmëroi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për ndryshim të politikës amerikane.
Teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Biden u pyet nga gazetarët nëse gjatë bisedës telefonike me Netanyahun më 4 prill, udhëheqësi amerikan e kërcënoi kryeministrin izraelit me ndaljen e ndihmës ushtarake për Izraelin, presidenti amerikan u përgjigj:
“Iu kërkova të bëjnë atë që po bëjnë”, ka deklaruar Biden.
Gjatë bisedës telefonike, Biden paralajmëroi Netanyahun se politika amerikane ndaj Izraelit varej nga mbrojtja e civilëve dhe punëtorëve të ndihmës në Gazë, pasi gjatë një sulmi ajror izraelit u vranë shtatë punëtorë humanitarë, raporton REL.
Disa orë pas kësaj bisede telefonike, Izraeli njoftoi se do të lejonte “përkohësisht” dërgesa të ndihmës në veri të Gazës, ku banorët po përballen me uri. Ndihma do të dërgohet nga porti izraelit Ashdod në pikëkalimin e Erezit.