Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka bërë të ditur se e mbështet fuqishëm Kamala Harris-in si kandidate të demokratëve për presidente të SHBA-së.
Presidenti Biden e ka falënderuar zëvendëspresidenten e tij Kamala Harris, duke thënë se ajo ishte një “partnere e jashtëzakonshme”.
Ai i ka ftuar përkrahësit “që të mblidhen dhe ta mposhtin Trumpin”, ka raportuar BBC.
“Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë. Demokratë, është koha të mblidhemi dhe të mundim Trumpin”, ka thënë Biden pas letrës ku njoftoi tërheqjen nga gara.
Ky vendim vjen katër muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe pas presionit intensiv nga kolegët demokratë, në vijim të një debati të diskutueshëm me republikanin Donald Trump në fund të qershorit.
Gjithashtu, vendimi vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Biden-it nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.