Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Shtëpinë e Bardhë në 26 shtator, për bisedime mbi konfliktin Ukrainë-Rusi, njoftoi të enjten Shtëpia e Bardhë.
Sipas një deklarate të zëdhënëses Karine Jean-Pierre, presidenti Zelenskyy do të takohet më vete me nënpresidenten Kamala Harris.
“Udhëheqësit do të diskutojnë mbi gjendjen e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë planin strategjik të Ukrainës dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kievit në mbrojtjen ndaj agresionit rus. Presidenti dhe nënpresidentja do të nënvizojnë angazhimin e palëkundur për të qëndruar në krah të Ukrainës derisa ta fitojë luftën”, ka deklaruar ajo, transmeton VOA.
Presidenti Zelenskyy ka deklaruar se ai ka një plan për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe synon që t’ia prezantojë presidentit Biden.
Në një deklaratë të premten e kaluar, presidenti Zelenskyy tha se agresionet, si ai i Rusisë ndaj Ukrainës, mund të marrin fund pozitivisht, qoftë duke zmbrapsur ushtrinë pushtuese në fushën e betejës, ose përmes diplomacisë, nëpërmjet së cilës vendi i pushtuar fiton lirinë dhe ruan pavarësinë.
“Në të dyja rastet, Ukrainës i duhet një pozicion i fortë”, ka theksuar ai. “Shtetet e Bashkuara mund të na ndihmojnë për këtë; nëse me partnerin tonë kryesor, përpiqemi së bashku për fitoren”.
Gjatë javëve të fundit, zoti Zelenskyy ka shprehur zhgënjimin që nuk është dhënë ende leja nga aleatët – në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe Britania – për të përdorur armët e tyre me rreze të gjatë veprimi, për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë.
Të dyja këto vende kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e tërheqjes në një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë.