Presidenti amerikan, Joe Biden, është infektuar me koronavirus dhe ka simptoma të lehta, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e tij për media, Karine Jean-Pierre, ka thënë se presidenti amerikan është i vaksinuar dhe ka dozë përforcuese kundër virusit që shkakton sëmundjen COVID-19.
Biden është infektuar edhe dy herë të tjera me këtë koronavirus në të kaluarën.
Përmes një postimi në X – i njohur më parë si Twitter – Biden i ka falënderuar të gjithë për urimet për shërim të shpejtë, ndërsa ka thënë se do të vazhdojë të punojë për popullin amerikan.
Presidenti amerikan, 81-vjeçar, është parë të mërkurën duke vizituar mbështetësit në Llas Vegas dhe ka mbajtur një fjalim aty.
Megjithatë, ai e ka anuluar një fjalim që ishte paraparë të mbahej më vonë, në kuadër të fushatës presidenciale.
Infektimi i tij vjen në kohën kur Biden po përballet me presion në rritje për të hequr dorë nga gara për një mandat të dytë presidencial, për shkak të moshës që ka.
Thirrjeve të 19 ligjvënësve demokratë për tërheqje të Bidenit nga gara për president i është shtuar të enjten edhe ligjvënësi nga Kalifornia, Adam Shiff, i cili po kandidon për Senatin amerikan.
Shqetësimet e demokratëve mbi aftësitë e Bidenit për ta mposhtur rivalin republikan, Donald Trump, apo nëse është në gjendje që të udhëheqë vendin për një mandat të dytë, janë shtuar pas paraqitjes së dobët të tij në debatin e parë presidencial, të mbajtur më 27 qershor./REL
Edhe vet presidenti, Joe Biden përmes një postimi në Facebook ka thënë se ndjehet mirë edhe pse ka rezultuar me COVID.
“Sot pasdite rezultova pozitiv me COVID-19, por ndihem mirë dhe falënderoj të gjithë për urimet. Unë do të izolohem ndërsa të shërohem, por gjatë kësaj kohe do të vazhdoj të punoj për të kryer punën për popullin amerikan.”