Gjysma e llamarinës dhe drujve që shërbenin si çati e objektit të komunës së Prishtinës janë shkëputur nga kulmi i ndërtesës. Dyshohet se shkaktar ishte era e fuqishme.
Rreth orës 13:00 kalimtare rasti ishte një 23 vjeçare e cila mbeti e shtrirë në tokë dhe e gjakosur nga plagët e marra.
E njëjta është transferuar menjëherë për trajtim.
23 vjeçarja në emergjencë është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Gjendja për momentin është gjendje stabile, por pas ekzaminimeve të kryera në qendrën emergjente ka rezultuar me lëndime të rënda trupore. Ka lëndime në disa pjesë të organizimit. Në Emergjencë pritet të bëhen disa ekzaminime të tjera pas një afati të caktuar kohor, dhe pastaj sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë trajtimin në Mjekimin Intensiv Qendror”, tha Naser Syla, drejtor i Shërbimit Emergjent në QKUK.
Ndërsa e lënduar po trajtohej puna në terren vazhdonte. Fillimisht të gjithë punonjësit janë larguar nga objekti dhe i njëjti është mbyllur. Më pas zjarrëfikësit hipën në kulmin e ndërtesës, përkundër që ende ishte rrezik, gjë që dallohej edhe nga distanca.
Bashkë me zjarrëfikësit, Policia e Kosovës ka vazhduar mbledhjen e provave në kuadër të hetimeve. Ndërsa në terren janë parë edhe zyrtar të Inspektoratit të Punës, si dhe drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica.
“Për momentin nuk mund të them më shumë për arsye se hetimet janë preliminare dhe janë duke u zhvilluar. Sipas të gjitha gjasave prap po them si pasojë e erërave të forta që kanë ndodhur ka ardhur deri të rrëzimi i kulmit”, tha Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca.
Gjatë gjithë kohës rrugët në afërsi të objektit janë mbajtur të bllokuara, ndërsa trafiku është orientuar për në rrugët alternative.
Rreth dy orë më vonë ka filluar edhe pastrimi i zonës nga punonjësit e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë se me të marrë informatën kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Ndërkohë nga Prokuroria në Prishtinë për Dukagjinin ka konfirmuar se janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.