Një vogëlush i ulur në një kënd të sheshit “Nëna Terezë”, nën tingujt e daulles kërkonte para nga kalimtarët. Këtë e bën pothuajse çdo ditë.
Por ka edhe fëmijë të tjerë që simbolizohen nga dora e zgjatur dhe me fjalët “a ki rahmet, 10 a 50 cent për bukë me i dhanë”. Ata janë pothuajse në çdo lokal-bar-kafe të kryeqytetit. Ke prej tyre që edhe tek “semaforat” qoftë te “Bill Klintoni” apo tek “Lesna” a “Menza”, i sheh në mes rrugës duke të ofruar si shërbim pastrimin e xhamit të makinës në shkëmbim me monedha hekuri “cash”.
Pothuajse secili prej këtyre nuk i kalon as të 13-tat, për të praktikuar “lëmoshëkërkimin” në rrugët dhe lokalet e kryeqytetit, por edhe në qytete të tjera qoftë në Prizren, Gjakovë, Gjilan apo Pejë e Mitrovicë.
Policia e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim për Portalin Dukagjini, ka thënë se 32 raste janë iniciuar në vitin 2023 për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve, me gjithsej 34 të dyshuar, ndërkaq një ka qenë viktimë e trafikimit, forma e shfrytëzimit për kërkim lëmoshe.
Tutje, gjatë vitit 2022, janë identifikuar 77 fëmijë duke kërkuar lëmoshë, ndërsa ishin iniciuar 44 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës”, me gjithsej 53 të dyshuar.
Ndërsa në vitin 2021, Policia e Kosovës ka regjistruar 60 fëmijë duke kërkuar lëmoshë dhe kanë iniciuar 28 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës”, me gjithsej 33 të dyshuar.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në tri vitet e fundit janë identifikuar rreth 500 fëmijë lëmoshë-kërkues.
Që nga viti 2019, në kryeqytet funksionon Qendra ditore për fëmijët në situatë rruge. E numri i tyre vazhdon të jetë i lartë.
Koordinatorja e kësaj qendre, Egzona Gashi, ka thënë se 25-30 fëmijë e frekuentojnë çdo ditë këtë vend, dhe aty mund të merren me aktivitete të ndryshme.
“Qendra ditore përpos shërbimit të ekipit në terren, ofron shërbime edhe brenda Qendrës. QD në vete përmban një laramani shërbimesh dhe një çasje holistike dhe fleksibile për nevojat e fëmijëve dhe familjeve që janë në qasje rruge”, ka theksuar Gashi.
“Shërbimet e Qendrës Ditore përfshijnë ato bazike, si: ushqyerja, kujdesi higjienik, pastrimi i rrobave, i fëmijëve edhe me aktivitetet edukative-mësimore me mësuese. Dinamik e këtyre dy viteve të fundit është edhe inkuadrimi i fëmijëve në rrugë ku është nxënës i shkollave publike. Por ka shërbime psiko-sociale, ku ofrohet përmes stafit mbështetës që i ofrohet fëmijëve”, ka theksuar Gashi.
Përmes këtyre shërbimeve, ajo tha që tentojnë që të reduktojnë rreziqet dhe kohën që fëmijët e kalojnë në rrugë.
Pasi dukuria e fëmijëve lëmoshëkërkues është një problem që merren shkencat humane, Portali Dukagjini ka adresuar disa pyetje për sociologun kosovar, Jeton Brajshori, i cili theksoi se procesi i lëmoshëkërkimit është një proces i vështirë, i cili ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës.
Sipas Brajshorit, këta fëmijë bullizohen dhe stigmatizohen nga shoqëria për shkak të lëmoshës që kërkojnë dhe se janë pothuajse tërë ditën në rrugë. Ai tutje ka thënë se institucionet kanë bërë fare pak në këtë drejtim, gjë që lë të nënkuptohet se ka edhe persona brenda institucioneve përkatëse, të cilët janë të zhytur në botën kriminale e cila i kontrollon shumicën e tyre.
“Procesi i lëmoshëkërkimit është një proces i vështirë, i cili ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës. Këta fëmijë bullizohen dhe stigmatizohen nga shoqëria për shkak të lëmoshës që kërkojnë dhe se janë pothuajse tërë ditën në rrugë. Institucionet kanë bërë fare pak në këtë drejtim, gjë që lë të nënkuptohet se ka edhe persona brenda institucioneve përkatëse, të cilët janë të zhytur në botën kriminale e cila i kontrollon shumicën e tyre. Institucionet duhet të sigurohen se këta fëmijë duhet të shkojnë në shkolla, arsimimi fillor është i obliguar me ligj dhe në këtë mënyrë këtyre fëmijëve po u mohohet e drejta e tyre për shkollim. Institucionet duhet të shikojnë se nga vijnë këta fëmijë! Nëse janë nga vende e tjera, atëherë duhet që t’i riatdhesojnë, nëse janë nga Kosova, qendrat për punë sociale duhet të merren me ta”, ka thënë Brajshori.
Brajshori ka numëruar disa nga arsyet që vijnë deri te dalja e fëmijëve për të kërkuar lëmoshë, e në rastin më konkret, ka thekuar se dikush vërtet kërkon nga zori, po shumica e tyre punojnë me direktiva të tjetërkujt dhe janë në shërbim të grupeve kriminale.
Cilat janë rreziqet që përballen fëmijët që kërkojnë lëmoshë?
Për ta pasur më të qartë dhe për ta kuptuar gjithë këtë situatë, Brajshori ka treguar se cilat janë rreziqet që përballen fëmijët që kërkojnë lëmoshë.
“Rreziqet janë, ndryshimi i personalitetit, bërja profesion e kërkimlëmoshës, të mbeten të paarsimuar, të mos kenë shpresa për një të ardhme më të mirë, janë të prirur që të futen në botën e krimit më lehtë, thjesht kjo u shkatërron të ardhmen”, ka treguar ai.
Disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të tilla, sipas Brajshorit, janë: faktori socio-ekonomik, prindërit e papërgjegjshëm dhe grupet e krimit.
“Fëmijët janë të brishtë dhe ende nuk janë në gjendje të mendojnë si duhet dhe në këtë mënyre manipulohen lehtë nga grupe të ndryshme interesi”, ka shtuar Brajshori.
Cilat janë veprimet që i ndalon apo i shmang që fëmijët të dalin në rrugë?
Sociologu Jeton Brajshori ka treguar se çdo gjë fillon nga familja, dhe sipas tij, prindërit janë ata që duhet të kenë kujdes në sjelljet e tyre sepse fëmijët janë të prirur t’i imitojnë.
“Çdo gjë e mësuar keq në fëmijëri ka impakt gjatë tërë jetës së tyre! Institucionet duhet që fëmijët lëmoshëkërkues t’i bëjë top prioritet për t’i trajtuar, duke filluar nga shkollimi që është obligativ deri te kujdesi dhe integrimi i tyre i plot në shoqëri”, ka përfunduar Brajshori.
Ndërsa, sociologu, Dardan Lajçi ka thënë se arsyejt kryesore që fëmijët janë lëmoshë kërkues janë nga varfëria, mospërgjegjësia familjare apo edhe abuzimi i të tjerëve me ta. Ndërsa, lidhur se me njerëzit që dhurojnë monedha “cash” ndaj lëmoshëkërkuesve, do duhej të i drejtoi tek Qendrat Sociale apo tek institucionet përkatëse dhe mos të ndjejnë dhembshuri.
“Njerëzit janë të prirur për ti ndihmuar të tjerët dhe në bazë të këtij parimi njerëzor, emocional e psiko-social i ndihmojnë edhe fëmijëve. Rrjedhimisht, lëshmoshëkërkuesit nuk e kanë vendin në rrugë dhe nëse vërtetë qytetari ndjen dhembshuri atëherë do duhej të e drejtoj atë lëmoshëkërkues te Qendra Sociale apo të njoftoj organet kompetente të cilat në bazë të përgjegjësisë dhe ligjit duhet ti kryejnë detyrimet që kanë ndaj tyre”, ka thënë Lajçi.
Sipas sociologut, Lajçi nevojiten disa hapa nga Institucionet kompetente nga Qeveria e Kosovës për të zvogëluar ose ndaluar krejtësisht dukurinë e lëmoshëkërkimit në vendin tonë.
“Qeveria duhet të jetë vigjilente dhe parandaluese e nevojshme me hapa të përgjegjshëm për eliminimin e të gjitha llojeve të lypjes, veçanërisht lypsarëve dhe grupe të fuqishme mafioze nga shoqëria. Politikëbërësit dhe autoritetet publike mund të zbatojnë forma shumëdimensionale, ‘ndërhyrje’ në bazë të faktorëve social-fetarë dhe psiko-ekonomikë në njohjen më të tellë të kësaj problematike shoqërore”.
Më tej ai ka shtuar se “Ekziston një nevojë e madhe për të vendosur ose hartuar ‘kriteret e përshtatshmërisë’ për donacion ose bamirësi përmes politikave te duhur e të mirëfillta të bamirësisë urbane të komunitetit. Është nevoja për të hartuar një sistem të duhur për mirëqenien e njerëz me të vërtetë të merituar të kësaj kategorie. Përmes monitorimit të duhur kërkohet angazhimi i njohësve të fushës si Punonjësit Social, sociolog e psikolog që mbështesin njerëzit në nevojë, në të njëjtën mënyrë komunitetin në fjalë. Në lidhje me këtë, lëmoshkërkuesit nuk do të lejohen të punojë në rrugë. Për më tepër, duhet të merren masat e nevojshme për të ndaluar migrimin e lëmoshkërkuesve nga një qytet në një qytet tjetër. Fushatat mediatike mund të luajnë një rol jetik në dekurajimin e praktikave të lypjes.Pra, nevojiten më shumë rigorozitete, kërkime empirike për të kuptuar më mirë fenomenin”, ka theksuar Lajçi.
Demush Morina, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në komunën e Vitisë, në një përgjigje me shkrim për Portalin e Dukagjini ka theksuar se në këtë komunë nuk ka fëmijë lëmoshëkërkues, por edhe nëse ka, ata janë “vetëm gjatë ditës së enjte, duke përfshirë dy-tre fëmijë që kërkojnë lëmoshë, pasi në këtë komunë është ditë tregu”.
Tutje, Morina ka theksuar se “kemi edhe disa fëmijë, por ata zakonisht janë pranë prindërve lypës”.
E në Policinë e Kosovës kanë treguar disa nga shkaqet që fëmijët i shtyjnë të dalin në rrugë: “Për shkak të kushteve të rënda materiale, disa nga shprehia, apo ka raste ku dyshohet se mund të jenë të shtyrë nga personat e ndryshëm, raste këto që hetohen nga Policia e Kosovës”.
Në këtë institucion kanë theksuar se në vazhdimësi ndërmarrin veprime për parandalimin e këtyre aktiviteteve të të miturve.
“Policia e Kosovës vazhdimisht trajton dukurinë e lëmoshëkërkuesve dhe mbledh informata me qëllim të verifikimit dhe hetimit, nëse këta fëmijë shfrytëzohen si formë e trafikimit me njerëz dhe në kuadër të kësaj organizon edhe plane operative për identifikim të hershëm, mbrojtjen e tyre dhe referimin në institucione përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Policisë.
Në Polici kanë theksuar të kenë ndërmarrë edhe veprime në funksion të ngritjes së vetëdijes përmes ligjëratave, broshurave dhe spoteve informuese, të cilat janë organizuar me partnerët dhe institucionet e tjera.