Profesori i Universitetit të Grazit dhe eksperti i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber, ka thënë se propozim-marrëveshja e publikuar mes Kosovës dhe Serbisë nuk përmban surpriza.
Me anë të një postimi në Twitter Bieber ka thënë se pyetjet kryesore të hapura janë: detajet rreth Asociacionit dhe pozicioni i vendeve mosnjohëse të BE-së dhe NATO-s.
“Publiku serb nuk është përgatitur qëllimisht për një marrëveshje. Rreziku është a) Vuçiq bën një Gjukanoviç (ai e paraqet veten si mbrojtës i vetmi për të mbajtur gjallë marrëveshjen, përndryshe e djathta ekstreme e merr përsipër, të cilën ai e ka dhe do të vazhdojë ta kultivojë), b) një paqe të ftohtë dhe pa një zgjidhje përfundimtare, Vuçiq mund të vazhdojë pa shumë ndryshime drejt Kosovës, duke përshkallëzuar tensionet, duke krijuar krizë të rreme”, shkroi Bieber.
Sipas tij, Vuçiq mund të vazhdojë pa shumë ndryshime drejt Kosovës, duke përshkallëzuar tensionet, duke krijuar krizë të rreme.
b) a cold peace and without a final settlement, Vučić can proceed without much change towards Kosovo, escalating tensions, creating fake crisis. 3/3
— Florian Bieber 🇺🇦 (@fbieber) February 27, 2023
Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhet se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral pas të cilit Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Po ashtu, thuhet është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje thuhet se edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.
“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.
Po ashtu thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
“Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”.
Tutje thuhet se para fillimit të takimit zyrtar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, kryeministri Kurti realizoi një takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin bisedoi për pritjet nga takimi.
Kryeministri e falënderoi Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.