Bindjet sociale për seancat me psikologun dhe hipnoterapinë

Takimet me psikolog dhe përdorimi i hipnozës janë dy procese të cilat pavarësisht miteve, keqinformimit dhe stereotipeve në shoqëri, janë procese teraupetike, të cilat kanë rezultuar të ofrojnë zgjidhje për problemet e njerëzve

Mendimet për t’u takuar me një psikolog shpeshherë mund të jenë një veprim i frikshëm apo një mendim i bazuar në stereotipet e shoqërisë sonë. Edhe pse këto dy forma të terapive mund të rezultojnë të dobishme dhe para së gjithash, edhe të nevojshme, njerëzit ende hezitojnë t’i provojnë.

Një hezitim i tillë mund të vijë nga minimizimi i situatave, duke i thënë vetes se “Problemi im nuk është aq i keq, e përjetojnë të gjithë”, mirëpo, është më mirë që të merret një mbështetje përpara se gjërat të bëhen të pakontrollueshme. Fundja, në këto takime shkohet për t’u ndihmuar dhe jo gjykuar.

Në lidhje me paragjykimet mbi mbajtjen e seancave me psikologë, Portali D ka kontaktuar me Aheron Bobaj, psikolog.

Ai ka thënë se refuzimet për takim me psikologun më shumë bëhen si pasojë e dezinformimit.

“Një paragjykim i tillë vjen nga shpërndarja e informatave, mosbesimi dhe ideja se ndoshta personi me të cilin do të bisedojë nuk e kupton”, ka thënë Bobaj. Gjersa ka shtuar se paragjykimet janë të panumërta dhe kjo vjen si shkak i një besimi të tepruar në shoqëri.

“Ke më shumë gjasa të paragjykohesh prej shoqërisë, sesa prej një konsulenti”, thekson Bobaj.

Më tej, ai ka thënë se grupmoshat të cilat e kanë më problem konsultimin me psikologë, janë ato 50 vjet e lart. Sipas tij, ata besojnë që çdo hidhërim, çdo brengë duhet diskutuar mes familjarëve.

Ilustrim

“Mos vuani në heshtje, jeta është e gjatë kur është me probleme, dhe e shkurtër kur mbetet pa to”, përfundon psikologu, Aheron Bobaj.

Një problem tjetër ka rezultuar të jetë edhe ekzistenca e bindjes se “ne jemi të gjithë eksperimente”.

Pyetja është, nëse doni të lejoni një “ekspert” të supozuar të eksperimentojë me ju, ose nëse dëshironi t’i kryeni vetë eksperimentet.

Bindja e gabuar se takimi me një psikolog do t’ju identifikojë si “të çmendurit e shoqërisë” apo “të sëmurët mendorë” është një bindje e cila ka evoluar dhe vazhdon të rritet.

Një nga pengesat më të mëdha emocionale ka të bëjë me gjykimin e marrë nga ana e psikologut. Terapistët janë në dijeni për një ndjenjë të tillë dhe shumë bëjnë përpjekje të mëdha për t’i bërë të ditur klientët potencialë për qasjen e tyre jogjykuese ndaj këshillimit, e cila shpesh detajohet në profilet e tyre.

Ilustrim

Ndonjëherë njerëzit vijnë në këshillim dhe marrin pjesë për një kohë të gjatë përpara se të hapen për gjërat. Ndonjëherë ndihen të rrezikuar për të ndarë çdo informacion të cenueshëm. Të qenët i hapur dhe transparent në këshillim ka më shumë gjasa të ndërtohet një “kanal besimi” midis këshilltarit dhe pacientit.

Të pyetur se a do ta konsideronin një takim me psikologun, disa studentë kosovarë janë shprehur se një takim i tillë do të ishte më se i nevojshëm.

“Mendoj që koha e provimeve është koha kur realisht mbyllemi mes 4 mureve, dhe stresi krahas probleme të përditshme është ai i cili domosdoshmërisht na bën të mbajmë gjëra në vete. Këto të fundit, eventualisht, na kaplojnë tërësisht”, thotë E.D, studente në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Tutje ajo për Portali D ka thënë se “Është një temë e cila sapo përmendet, mbyllet akoma pa u hapur”,  duke shtuar se ka edhe studentë të atillë të cilët realisht do të donin, por që preukopimi shoqëror ka bërë që të bëhen psikologë të vetes.

Ilustrim

E njëjta ekziston edhe për metodën e hipnozës.

Hipnoza dhe përdorimi i saj mbetet një tjetër temë tabu në qytetet e Kosovës e madje, edhe në Ballkan.

Mitet, keqkuptimet dhe gënjeshtrat mund të jenë të shumta, por asnjëra nuk e mohon faktin se hipnoza është një proces real i cili përdoret si mjet terapeutik, veçanërisht si reduktues i dhimbjes dhe ankthit.

Kohët e fundit, një trajtim i fuqishëm mjekësor për dhimbjen, ankthin dhe një sërë kushtesh të tjera, është duke u konsideruar edhe hipnoza. Megjithëse shpesh cilësohet si një gjendje e ngjashme me gjumin, hipnoza ka të bëjë me vëmendjen e përqendruar, fokusin.

Hipnoza është një trajtim nga personat e autorizuar. Në të kundërt, një trajtim për një problem të rëndë mund të ndikojë në dëmtimin e psikikës së pacientit. Mirëpo, trajtimet më të lehta e njëkohësisht të konsideruara edhe si “trike”, ushtrohen edhe nga njerëz të paautorizuar. Bota moderne ka mundësuar që secili të ketë një çasje në atë që i pushton kuriozitetin.

Ilustrim

Prapëseprapë, duket se hezitimi i metodave të tilla vjen edhe nga vetë një numër i hipnoterapistëve. Mirëpo, Portali D arriti të kontaktojë me një autodidakt të këtij procesi.

Për të riun nga Kamenica, e njëherësh, studentin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, hipnoza fillimisht qe një kuriozitet për të cilin mësoi më shumë përmes kurseve të kolegjit amerikan “Harvard”.

Sipas Lirimi Isufit, “është një metodë lirimi, largimi i një thesi të rëndë nga shpina”. Mirëpo, ai thekson që frika ndaj psikoterapeutit është një frikë e bazuar në mungesën e informimit të qytetarëve të cilët besojnë hipoteza të ndryshme mbi metodat e larmishme që një profesionist i kësaj lamie përdor.

Lirim Isufi, 22 vjeçar, thotë që femrat janë më të prirura të kenë nevojë për seanca me psikologun, si shkak i mbingarkesës së mendimeve e cila, sipas tij, vjen si pasojë e inteligjencës së madhe të tyre. Përderisa femrat janë më ekspresive, meshkujt grumbullojnë mendimet dhe mosreagimet në situata të caktuara, gjë e cila ndikon në çrregullimet që shfaqen më vonë.

“Të gjitha problemet janë më të lehta se problemet mentale”, thotë Isufi, gjersa shton se gjetja e një personi adekuat mbi trajtime të tilla është shumë e rëndësishme. Përveç kësaj, është një procedurë nga e cila nuk duhet frikësuar, por duhet të mendohet si një procedurë që të bën të ndihesh më mirë.

Në disa raste, njerëzit mund të kërkojnë hipnozë për të ndihmuar në trajtimin e dhimbjeve kronike ose për të lehtësuar dhimbjen dhe ankthin e shkaktuar nga procedurat mjekësore si, operacioni ose lindja e fëmijëve.

Përveç kësaj, është përdorur, gjithashtu, për të ndihmuar njerëzit me ndryshimet në sjellje si, lënia e duhanit, humbja e peshës ose parandalimi i urinimit në shtrat.

Mirëpo, përvoja me hipnotizimin dallon nga pacienti në pacient.

Disa e përshkruajnë si një gjendje ku nuk mund të bëjnë të kundërtën e asaj që u është thënë, disa të tjerë si një “mënyrë e të hequrit barrën” dhe disa si “gjendje relaksimi”.

Ilustrim

Hulumtimet tregojnë se, edhe pse shumë njerëz mendojnë se nuk mund të hipnotizohen, një numër i madh njerëzish janë më të hipnotizuar sesa besojnë. Statistikat tregojnë se mes 10% deri në 15% e njerëzve janë shumë të përgjegjshëm ndaj hipnozës, përafërsisht 10% e të rriturve konsiderohen të vështirë ose të pamundur për t’u hipnotizuar. Ndërsa, sa u përket fëmijëve, ata priren të jenë më të ndjeshëm ndaj hipnozës.

Por, çka ndodh me trurin gjatë këtij procesi?

Dy zona të trurit që janë përgjegjëse për përpunimin dhe kontrollin e asaj që po ndodh në trupin tuaj tregojnë aktivitet më të madh gjatë hipnozës.

Po kështu, zona e trurit tuaj që është përgjegjëse për veprimet tuaja dhe zona që është e vetëdijshme për ato veprime, duket se janë shkëputur gjatë hipnozës.

Mirëpo, përdorimi i një metode të tillë është në pikëpyetje edhe për ushtruesit e saj, pavarësisht dobisë së madhe që mund të sjellë.

Secili pacient dallon nga tjetri, dhe rezultatet gjatë dhe pas hipnozës nuk janë asnjëherë të parashikueshme.

Ilustrim

Psikologu, psikiatri dhe psikoterapisti janë tri profesione të ndryshme.

Psikologët  studiojnë në universitetet humanitare për psikologji, ku studiojnë në detaje veçoritë e punës dhe mekanizmat e psikikës së një personi të shëndoshë.

Psikiatri ka një arsim të lartë mjekësor. Psikiatrit trajtojnë seriozisht çrregullime mendore, dhe, gjithashtu, ofrojnë ndihmë për njerëzit me kushte kufitare (depresioni, neuroza, fobitë, çrregullimet e të ngrënit, etj.).

Psikoterapistët punojnë me sëmundjet e të ashtuquajturës depresive dhe çrregullimet e ankthit, sëmundjet psikosomatike, çrregullimet e gjumit dhe të ushqyerit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika