Komuna e Skenderajt, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook se është binjakëzuar me komunën e Vukovarit e cila gjendet në Kroaci.
Këto dy qytete kanë një të kaluar historike të ngjashme për shkak të përballjes me masakrat e shkaktuara nga Serbia.
“Në një organizim në sallën e Bordit të Drejtorëve në objektin e Komunës, është nënshkruar marrëveshja e binjakëzimit në mes të kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura dhe homolugut të tij kroat, Ivan Penava, kryebashkiak i Vukovarit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka treguar se me delegacionin kroat e ka vizituar Prekazin.
“Bashkë me nënkryetarin Sami Lushtaku shokë të luftës dhe deputeten e Parlamentit të Kosovës, Ganimete Musliu, gjatë shoqërimit të delegacionit të Vukovarit, i udhëhequr nga kryebashkiaku Ivan Penava dhe me Esad Çollakun e Tom Kaçinarin, në nderim të dëshmorëve të lirisë së Kosovës, në krye me kryekomandantin legjendar Adem Jashari, sakrifica e të cilëve na mundësoi të jetojmë të lirë në një shtet të pavarur dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi me popuj të lirë e vende mike të Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të luftës sonë çlirimtare!”, ka shkruar Nura në Facebook.