Klinika e Biokimisë në QKUK punon me aparatura të vjetra 10-vjeçare, ndërsa numri i pacientëve që kërkojnë shërbime është i madh.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, ka thënë se aparaturat në masë të madhe i kanë të vjetra, të cilat pësojnë edhe defekte. Sipas tij, me aparatura të tilla përballohen afër 200 pacientë, ndërsa ka raste kur numri i tyre shkon në 1 mijë. Ai thotë se falë donacioneve, arrijnë ta kryejnë punën si duhet.
“Ne jemi duke bërë punë njëfarë forme madhore, për arsye se aparaturat të cilat janë kryesisht kanë një kapacitet për dytësor, domethënë janë të fabrikuara dhe të dizajnuara, ndoshta që t’i përballojë diku 200 pacientë, mirëpo nëse flas se i kemi diku gati 1 mijë, atëherë normalisht se mandej edhe prishjet janë të paevitueshme, të shpeshta për shkak se ngarkohet aparatura dhe është për çudi që sinqerisht po them ka me vite të tëra, mos me kanë donacionet që vijnë nga kompanitë e caktuara, sinqerisht po them nuk kanë vlerë fare asnjë aparaturë dhe në këtë rast ose buxhet që është caktuar nga ShSKUK-ja për të blerë aparaturë”, ka thënë Veseli.
Si pasojë e vjetërisë, Veseli thotë se shpeshherë stafi detyrohet të pushojnë. Ai thotë se po të ishin aparaturat moderne, puna aty do të ishte me saktësi dhe precizitet më të madh.
“Janë mbi 10-vjeçare e fundit nëse flasim, është për t’i falënderuar kompanitë. Për fat të mirë që nganjëherë kemi edhe ndonjë aparat që ka rezervë. Kemi rast që jemi sfiduar që është dashur me ndejt, sikur të kishin qenë aparaturat dhe të furnizuar në aspektin e rregull me këtë numër kaq të madh të analizave, beso që kolegët të punojnë deri në 4-5 të mëngjesit pa ndërprerë duke i ripërsëritur, duke shikuar ta rregullon aparatin, ta fikë aparatin që të pushon. Sikur të ishin aparaturat modelare, digjitale në këtë rast, ku kanë një kapacitet më të madh, ku kanë një saktësi, precizitetin më të madh, atëherë do të na kishte krijuar edhe komoditetin tonë në aspektin profesional”.
Drejtori i kësaj klinike ka thënë se ka raste kur tumor makerët për zbulimin e kancerit nuk mund të kryhen, shkaku i prishjeve, duke shtuar se shpeshherë punëtorët e kësaj klinike detyrohen të kryejnë punë inxhinierike.
“Jemi vija e parë e frontit ku zbulohen sëmundjet te qytetarët. Paramendoni psh kur kemi ardhur në situata sfiduese dhe vjen nga Instituti i Onkologjisë dhe nuk mundesh me ja bo një tumor marker shembull ose analizat apo të gjëndrës tiroide që jashtëzakonisht është me të madhe, duke u kërkuar gati 80 për qind të analizave janë të gjëndrës tiroide që kërkohen përpos analizave të tjera”, ka shtuar Veseli
“Me këtë aparaturë nganjëherë të ecim për arsye se sapo ia fillon kalojnë 10 raste nxehet shpesh aparati duhet me fikë, duhet me u maltretu, duhet me u bo edhe inxhinier që nuk është punë e specialistit, duhet me u marrë domethënë punë profesionale me u interferu, por për hir të çështjes së përgjithshme për hir të pacientëve, për hir të situatës që është edhe politike ndonjëherë se edhe na jemi qytetarë të këtij shteti dhe interferon me thanë mos te ngarkojmë edhe më shumë, dhe në fakt vazhdojmë të punojmë në këto kushte dhe fatmirësisht nuk kemi ndonjë lëshim të rezultateve ekstreme”,ka theksuar drejtori i Klinikës së Biokimisë në QKUK. EO