“Omeri u gjet i vdekur në një rrugicë të shkurtër e pa drita në periferi të qytetit. Trupi i tij u gjet pranë një dyqani të vogël, m’u te shkallët e tij. U gjet i vrarë me tre plumba, një në bark, një në gjoks e një në ballë. Tre plumba për ta rrëzuar një trup njeriu, për ta zhbërë një jetë e për ta shuar një frymë. Vrasësit nuk i mjaftoi një plumb, atij i duheshin tre për ta përligjur trininë e një krimi. Vrasësi nuk e kishte për ngut, atij nuk i bëhej vonë, i duhej të ishte më së i saktë”, kështu thotë një nga fragmentet e shkëputura nga romani “Vdekja e Omerit” nga autori Adil Olluri.
Se çka fshihet prapa këtyre rreshtave, në një intervistë për portalin Dukagjini, shkrimtari Olluri ka rrëfyer detajet që e bëjnë më të veçantë këtë roman.
Ndryshe, shkrimtari Adil Olluri shkruan prozë artistike dhe kritikë letrare.
Ai është autor i dy romaneve, “Vdekja e Omerit”, dhe Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe dy përmbledhjeve me tregime, “Shumë rrugë dhe një rënie”, “Kthimi i profetit”.
I pyetur se çfarë e bën më të veçantë romanin e tij, Olluri është shprehur se “Vdekja e Omerit” flet për vrasjen e një të riu dhe të fshehtat rreth saj.
“Kush nuk i duron rrëfimet për vdekjet, më mirë le të heqë dorë nga këndimi i këtyre rreshtave që do të lidhen me njëri-tjetrin për ta ndërtuar një ngrehinë, brenda së cilës vetëm funde të lumtura nuk do të ketë. Ata që janë mësuar me dëgjimin e përrallave të lehta me të ndodhura fatsjellëse e përfundime fatlume, le të ndryshojnë rrugë, lë hynë në kthesa të tjera, sepse këtu nuk do të gjejnë të tilla gjëra. Nuk do të gjejnë zgjidhje të këndshme për të gjitha palët dhe lehtësira të ndryshme, me të cilat mund ta kalojnë një mesditë të bukur a një mbrëmje argëtuese”.
Kështu vazhdon fragmenti tjetër i shkëputur nga ky roman, që Olluri thotë se më së miri përshkruan atë që e bën lexuesin të qëndrojë deri në fund kurioz për atë që do pasojë mes rreshtave.
Ndërsa i pyetur se ku frymëzohet për romane të tilla, Olluri është përgjigjur se “Njeriu më nxit të shkruaj”.
Sipas tij, shkrimtari është një qenie egoiste që jep emocione, sepse të shkruarit ndryshe prej të gjithë profesioneve të tjera është një akt egoist në vetvete.
Olluri ka theksuar se më së shumti e gjen veten në shkrimin e romaneve.
“Romani, natyrisht, duke mos e lënë anash as tregimin, me të cilin jam vlerësuar për herë të parë si shkrimtar i prozës artistike”.
Olluri u bën thirrje të gjitha ata që duan të hyjnë në botën e shkrimit, ta duan dhe ta lexojnë letërsinë shqipe së pari.
Dukagjini: Pse i latë titullin “Vdekja e Omerit”, romanit tuaj të ri?
Olluri: Vendosja e një titulli është një gjë e çuditshme. Nganjëherë të merr goxha kohë titullimi i një libri, por ndodh që një vepër lind me titull të vetin. Kështu më ndodhi me romanin tim të ri. Lindi me titullin e tij. I gjithë romani flet për vdekjen e një të riu, të një të pafajshmi, i cili në roman e ka emrin Omer. Andaj, nuk mund të kishte tjetër titull ky roman, pos “Vdekja e Omerit”.
Dukagjini: Pse lexuesi duhet ta lexojë romanin “Vdekja e Omerit”?
Olluri: “Vdekja e Omerit” është roman që po troket në dyert e lexuesve dhe dashamirësve të letërsisë së tashme shqipe. Do të trokasë për t’u bërë mik shtëpie, i mirëpritur dhe i respektuar në konakun e lexuesve shqiptarë.
“Vdekja e Omerit” flet kryekëput për vrasjen e një të riu, të fshehtat rreth saj, dëshmitë e pakta dhe dyshimet e shumta. Flitet për përfoljet dhe paragjykimet e shumta që ngjalli kjo vrasje në qytet. Po ashtu, krijohet një imazh të të riut të ndjerë, Omerit, i cili do të vdesë në faqen e parë të këtij romani dhe të atit të tij, Mujës së madh, i cili do të vdesë në faqen e fundit të këtij romani.
Shumë vetë do të flasin në këtë roman, pak do të dëgjohen dhe asnjëri nuk do ta thotë të vërtetën përfundimtare, sepse një gjë e tillë nuk është dhe nuk duhet të jetë qëllim i letërsisë dhe as i këtij romani. Pra, është një rrëfim që shtron pyetje të pafundme, por nuk e jep asnjë përgjigje. Andaj, besoj që kjo mund të jetë arsyeja pse mund të lexohet ky roman (se nuk them dot “duhet”).
Dukagjini: Ku dallon “Vdekja e Omerit” nga romani juaj paraprak “Bartësi i shpirtrave të përzënë”?
Olluri: Vdekja e Omerit” i flet të sotmes, ndërsa “Bartësi…” të kaluarës sonë të afërt. “Bartësi…” është letërsi e kujtesës, ndërsa “Vdekja e Omerit” letërsi e përballjes me të tashmen. Këto dy vepra dallojnë mes vete për nga konceptimi, pikëshikimi, gjuha e stili. Unë i dua të dytë dhe nuk do të dëshiroja të flisja më shumë për ta në aspektin përqases.
Dukagjini: Ku frymëzoheni për të shkruar dhe sa orë në ditë shkruani?
Olluri: Njeriu më nxit të shkruaj. Dua ta njoh njeriun, të mendoj për të e rreth tij. Mendoj për mundësitë e tij për të bërë keq e për të qenë jonjerëzor. Kjo më nxit për të shkruar. Njeriu ishte nxitësi im kryesor për t’u bërë shkrimtar. Pra, unë shkruaj për njeriun.
Nuk shkruaj më shumë se dy orë në ditë dhe atë në kohë mëngjesi. Shkruaj zakonisht gjatë muajve të vjeshtës dhe pranverës. Verën dhe dimrin i kam më shumë stinë leximi.
Dukagjini: A mendoni se mund të bëhet dikush shkrimtar nëse nuk i ndjen emocionet para egos?
Olluri: Shkrimtari është një qenie egoiste që jep emocione.
Kjo që thash duket si një paradoks në vete, por mund të shpjegohet lehtësisht. Të shkruarit ndryshe prej të gjithë profesioneve të tjera është një akt egoist në vetvete.
Shkrimtari është qenie e veçantë (e kam fjalën për shkrimtarin e mirë, të kuptohemi), sepse shkruan me një gjuhë më ndryshe se të tjerët. Ai shkruan me një gjuhë të zgjedhur, me fjalë të rralla e të pa rëndomta.
Shkrimtari është dhe dëshiroj të jetë më ndryshe prej të tjerëve. Të shkruarit në mënyrë të tillë të çrendomtësuar, është akt i pastër prej egoisti dhe këtë asnjë psikolog nuk mund ta mohojë.
Por, shkrimtari dhuron një botë me plotë emocione, me plotë karaktere e ndjesi, me plotë dhimbje, mall e dashuri. Ai jep dhe merr emocione. Rrëfimin e shkruar nga një shkrimtar njerëzit mund ta përjetojnë ndryshe.
Ata mund të zhgënjehen, mund të ndjejnë dhimbje e të bashkëndjejnë me fatin e personazhit, mund të qeshin me të bëmat e personazheve të ndryshme, mund ta shajnë dhe ta tallin mungesën e shkathtësisë së një personazhi tjetër e kështu më radhë. Pra, shkrimtari nuk ka se si të jetë ndryshe, pos një qenie egoiste që jep dhe merr emocione.
Dukagjini: Cili roman e përfaqëson më së miri stilin tuaj?
Olluri: Përgjigjen në këtë pyetje do t’ia lë lexuesve dhe kritikëve e studiuesve të tjerë të letërsisë. Ata mund ta japin përgjigjen më objektive se a më përfaqëson më mirë “Bartësi…” apo “Omeri…”?
Dukagjini: A ke vështirësi të formosh karaktere brenda veprave dhe si i zgjedh emrat e personazheve?
Olluri: Natyrisht se është e një punë tejet e vështirë. Jo vetëm për mua, por për secilin prozator të dinjitetshëm krijimi dhe formimi i karaktereve është një nga gjërat më të vështira të punës krijuese. Formimi i një karakteri me të gjitha tiparet e tij është gjysma e veprës.
Emrat e personazheve të romaneve të mi i kam zgjedhur natyrshëm. Kam synuar që edhe përmes emrave të tyre personazhet e mi të jenë pjesë e arealit të tashëm kulturor shqiptar.
Dukagjini: A ke menduar ndonjëherë të shkruash prapa ndonjë pseudonimi?
Olluri: Jo asnjëherë nuk e kam menduar një gjë të tillë. Nuk më pëlqen një mënyrë e tillë. Më pëlqen emri dhe mbiemri im. Më mjafton dhe ndihem mirë më të.
Dukagjini: A përpiqesh të jesh origjinal apo të dërgosh te lexuesit atë që ata e dëshirojnë?
Olluri: Dua që lexuesit ta dëgjojnë zërin tim nëpërmjet romaneve të mia. Dua të dëgjohem!
Shkrimtari Adil Olluri shpreson që romanet dhe veprat e tij të lënë gjurmë te lexuesit.