Bisedimet mes zyrtarëve turq dhe delegacioneve nga Suedia dhe Finlanda këtë javë në Turqi, kanë pasur përparime të vogla në tejkalimin e kundërshtimeve të Ankarasë për anëtarësimin e vendeve nordike në NATO. Bazuar në dy burime ende nuk është e qartë se kur do të zhvillohen diskutime të mëtutjeshme.
“Nuk është një proces i lehtë,” i tha Reuters të premten një zyrtar i lartë turk.
“Ata duhet të ndërmarrin hapa konkretë që do të jenë të vështirë. Negociatat e mëtejshme do të vazhdojnë. Por një datë nuk duket shumë afër”, raporton Reuters.
Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO javën e kaluar për të rritur sigurinë e tyre përballë pushtimit rus të Ukrainës.
Por Turqia e sfidoi këtë lëvizje duke thënë se vendet nordike strehojnë njerëz të lidhur me ato që ajo i quan grupe terroriste dhe për shkak se ata kanë ndaluar eksportet e armëve në Ankara.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të premten se vendi i tij pret që Suedia dhe Finlanda të ndërmarrin veprime konkrete dhe të ndalojnë një mbështetje të tillë përpara se ajo të heqë kundërshtimet e saj.
Një person tjetër i afërt me situatën tha se bisedimet e së mërkurës nuk bënë përparim të qartë dhe përfunduan pa asnjë afat kohor për të vazhduar, duke ngritur mundësinë që Turqia të kundërshtojë ende ofertat e anëtarësimit kur NATO të mbajë një samit në 29-30 qershor në Madrid.
Të premten ministritë e jashtme suedeze dhe finlandeze nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente.
Diskutimet pesëorëshe ishin të mira dhe përfshinin seanca të veçanta midis zyrtarëve turq dhe homologëve nga dy vendet nordike, të ndjekura nga bisedime trepalëshe me të gjithë akterët, shtoi burimi i dytë.
Një burim i tretë i tha Reuters se zyrtarët turq minimizuan perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje përpara samitit të Madridit.