Negociatat midis përfaqësuesve të Ukrainës dhe Rusisë, të premten e një prillit, janë zhvilluar online.
Këto bisedime vijnë pak ditë pas takimit ballë për ballë të ekipeve negociatore në Stamboll, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Kjo është konfirmuar nga zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku citohet shefi negociator ukrainas, Mykhailo Podolyak, i cili ka kofnirmuar se bisedimet janë mbajtur online.
Por, nuk janë dhënë më shumë detaje shtesë, ka shkruar Sky News.
Ndryshe, negociatat midis delegacionit rus dhe atij ukrainas janë mbajtur të martën e 29 marsit në Stamboll.
Pas bisedimeve, David Arakhamia, zyrtar nga delegacioni ukrainas, ka deklaruar para mediave se kanë nevojë për më shumë vende garantuese, përfshirë këtu edhe Turqinë.
Përveç Turqisë, vendet e tjera që administrata e kryeqytetit ukrainas, Kievit, ka nevojë t’i shohë si garantues janë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Polonia, Kanada dhe Izraeli.
“Duam një garanci të ngjashme me nenin e pestë të NATO-s. Me këtë nen, në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, konsultimet do të nisin me vendet garantuese brenda tri ditësh, dhe nëse nuk mund të arrihet një zgjidhje diplomatike, vendet garantuese do të jenë në gjendje të na ofrojnë trupa dhe armë”, ka thënë ai, përcjellë BBC.
“Është çështje parimore për ne, që të arrijmë marrëveshje për këto nene kryesore”, është shprehur Arakhamia, teksa ka shtuar se donin që vendet garantuese të ftoheshin në negociata brenda dy javësh.
Para bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Ne besojmë se një paqe e drejtë nuk do të ketë humbës dhe një konflikt i zgjatur nuk është në interesin e askujt”, u kishte thënë Erdogan, negociatorëve rusë dhe ukrainas.
Në mesin e anëtarëve të delegacionit ukrainas, të cilët ishin në tryezën e bisedimeve, ishte edhe kreu i fraksionit të “Shërbëtorit të Popullit” David Arakhamia.
Përveç tij, të pranishëm ishin edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, këshilltari i kreut të zyrës së presidentit Mykhailo Podolyak, kreu i delegacionit ukrainas në TCG, Andriy Kostin, deputeti i popullit Rustem Umerov dhe zëvendësministri i Jashtëm, Mykola Tochitsky dhe zëvendësshefi i Zyrës së Presidentit, Kirill Timoshenko.