Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se takimi i ardhshëm me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, do të mbahet më 16 nëntor në Bruksel.
Në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, Bislimi ka thënë se dakordimi i vetëm është caktimi i këtij takimi.
“Takimi i radhës do të mbahet të enjten e ardhshme më 16 nëntor. Ky është dakordimi i vetëm i arritur”, ka thënë Bislimi.
Lajmi për rundin e ri të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, vjen pasi bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 tetor në Bruksel, zhvilluan takime të ndara me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë kërkuan që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë defacto pavarësinë e Kosovës.