Zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi dhe homologu në dialog, Petar Petkoviqi, të mërkurën do të takohen në Bruksel.
Takimin e ndërmjetësuar nga emisari Miroslav Lajçak e ka konfirmuar Zëdhënës i BE-së.
“Nesër, Miroslav Lajçak do t’i presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kundër të dialogut të ndërmjetësuar në Bruksel. Fokusi do të jetë te zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës”, ka thënë Stano.
Edhe nga kabineti i Bislimit e kanë konfirmuar takimin, veçse kanë dallime me fjalët që po thonë evropianët.
Stano tha se do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes dhe hapat drejt shtensionimit, ndërsa në përgjigjen e Kadiut thuhet se do të flitet për planin e sekuencimit, pasi që Kosova po dëshmon në vazhdimësi gatishmërinë për deeskalim.
“Takimi i rradhës i procesit të dialogut pritet të mbahet ditën e mërkurë. Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratisllavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit”.
“Në vazhdimësi po dëshmojmë gatishmërinë tonë për deeskalim, siç e dëshmoi së fundmi dakordimi i Bratisllavës, dhe po ashtu dhe fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni”, ka thënë Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvendëskryeministrit.
Mos-përputhje për zhvillimet e fundit në dialog dhe tesnioneve në pjesën veriore kanë edhe partia në pushtet me deputetët opozitarë.
“Besoj se të gjithë hapat që jemi dakorduar me ndërmjetësin e BE-së, Kosova i ka zbatuar tashmë…Po ashtu, Kosova është shumë e interesuar që të ketë zbatim të plotë të të gjitha zotimeve dhe dakordimeve në kuadër së Brukselit dhe të Ohrit. Duhet të ketë një sekuencim që është i favorshëm për të dy palët që kanë marrë obligime në atë marrëveshje”, ka thënë Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Të gjitha këto manovra jashtëzakonisht jo produktive në skenën politike dhe ndërkombëtare të qeverisë kanë qenë të dëmshme. Asnjë nga qëndrimet e zotuara nuk janë mbajtur. Fillimisht e tensionon situatën pastaj kthehet e zhbllokon”, është shprehur Ferat Shala nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Vullneti i palës kosovare për këtë marrëveshje sipas profesorëve universitar nuk do të jetë aq i dobishëm sa po mendohet, dhe nuk do ta sjellë njohjen nga Serbia.
“Sekuencimi i marrëveshjes nënkupton një, nuk mund ta quajmë as progres por një lëvizje incrementale, një lëvizje hap pas hapi e cila do t’i zhagitë punët. Do të jetë një proces i dhimbshëm edhe i gjatë”, ka thënë profesori, Abit Hoxha.
“Përfundimi ka me ardhë në pikën zero, ka me ardhë në ato marrëveshjet të cilat veçse janë diskutuar më përpara, janë marrë vesh. Do të ketë një asociacion, do të ketë një aranzhim për të drejtat e serbëve në veri, aranzhim brenda Kosovës si duket”, vijoi ai.
Hoxha thotë se dallimet në qëndrimet BE-së dhe Kosovës, përfshirë edhe postimet e Kurtit dhe Lajçakut për bisedë në takimin në Greqi, tregojnë se çfarë agjende kanë palët në mendje.