Bislimi e Petkoviqi takohen nesër në Bruksel për “zbatimin urgjent” të marrëveshjes

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen të martën [nesër] në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian [BE] për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano. Ai ka shtuar se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.

Për këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia ranë dakord vitin e kaluar, por ajo nuk gjeti zbatim në terren.

Takimin mes kryenegociatorëve e paralajmëruan javën e kaluar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas bisedimeve të ndara që zhvilluan me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq nuk u takuan bashkë, për shkak të, siç u tha, kushteve që nxori kryeministri i Kosovës e që nuk i pranoi presidenti i Serbisë.

Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

Stano u tha të hënën gazetarëve se qëllimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është “normalizimi i raporteve”.

“Kjo detyrë është dhënë nga BE-ja si mandat për lehtësuesit e dialogut. Pra, mandati është t’u ndihmohet dy palëve që t’i normalizojnë raportet. Njohja [e Kosovës nga Serbia] nuk është pjesë e mandatit. Natyrisht, konsekuencë logjike e normalizimit do të ishte njohja. Por, kjo është diçka shumë larg në rrugën e procesit”, tha Stano.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se BE-ja po tenton që palët të bien dakord për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri më tash, palët kanë pasur qëndrime të ndryshme për këtë.

Kosova nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me integritetin territorial të Kosovës.

Shija e redaktorit

“Dukagjini Resort” te Rana e Hedhur, në fillim të rrugës...

"Dukagjini Resort" është një projekt i jashtëzakonshëm arkitekturor te Rana e Hedhur, në kilometrat e parë të rrugës së re Shëngjin-Velipojë. Resorti, puna për ndërtimin...

Distria Krasniqi shpallet për herë të tretë kampione e Evropës...

Distria Krasniqi ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Podgoricë të...

Kongresi Amerikan paraqet rezolutë kundër krimeve të dhunës seksuale në...

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), njofton se Kongresi Amerikan paraqet Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve...

Të fundit nga rubrika