Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se e ka njoftuar emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për situatën që ka krijuar Serbia në pikat kufitare me bllokimin e qytetarëve të Kosovës.
Në një postim në platformën X, Bislimi ka theksuar se kjo është përgjigjja që mund të japë Serbia si revoltë për suksesin që shënoi dje Kosova në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Qindra prej qytetarëve, duke përfshirë gra dhe fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh po mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe. Lidhur me situatën e kam njoftuar edhe zotin Lajçak. Kjo është përgjigjja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE”, ka shkruar mes tjerash Bislimi.
Bislimi gjithashtu ka thënë se një akt i tillë nga Serbia dëshmon edhe një herë rënien e demokracisë në Serbi dhe politikën e vazhdueshme të saj të agresionit.
“Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të stepemi ndaj veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë as në CoE dhe as në BE”, ka shkruar tutje ai.
Bashkimi Evropian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi.
Edhe BE-ja ka thënë se Serbia me bllokimin e kosovarëve ka shkelur Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.
Tashmë janë liruar kosovarët të cilët ishin të bllokuar për më shumë se 18 orë në pikën kufitare Serbi-Kroaci, kanë konfirmuar burimet e Dukagjinit.
Serbia bllokon disa autobusë kosovarë në kufi me Kroacinë
Ende nuk ka informacione për të ndaluarit në pikën kufitare Serbi – Hungari.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovc autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.