Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka cilësuar si kushte të reja për elementet e diskutuara në Komisionin Evropian, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.
Bislimi, për televizionin ATV, ka thënë se në KE, ka vende që pa asnjë rezervë e përkrahin heqjen e vizave për Kosovën, por ka edhe prej tyre që ende nuk kanë dhënë qëndrim zyrtarë për shkak të mandateve teknike të qeverive të tyre.
Ato vende sipas Bislimit, janë Italia, Suedia dhe Danimarka.
“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja”, ka thënë Bislimi.
“Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”, ka vijuar ai.
Bislimi ka thënë se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, ashtu që të arrihet konsensus, për të shtyrë përpara procesin në mbledhjen e ardhshëm të grupit punues për viza, që mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti, raporton REL.
Ai ka përmendur se në takimin e 13 tetorit janë shtruar tri çështje kyçe: lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, harmonizimi i sistemit kosovar të vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshja për riatdhesimin e qytetarëve.