Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka treguar të arriturat që Kosova ka pasur gjatë këtij viti. Gjersa, ka shtuar se krahas arritjeve të shumta ka gjithashtu ende shumë punë.
Theks të veçantë Bislimi i ka dhënë çështjes së liberalizimit të vizave dhe aplikimit për anëtarësimn e Kosovës në Bashkim Evropian.
“Viti 2022 ka qenë i mbushur me suksese e sfida, të cilat i kemi përballuar e tejkaluar bashkarisht. Kosova ka shënuar gjatë këtij viti rritje ekonomike, rritje të eksporteve, rritje të të hyrave doganore, rritje të të hyrave tatimore, rritje të investimeve të huaja direkte, rritje të rezervave shtetërore dhe rritje të punësimit.Kemi shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes Pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin.Kemi shënuar progres në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.Vendi ynë, ka aplikuar këtë vit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e së fundmi në muajin dhjetor kemi dorëzuar dhe aplikimin për anëtarësim në BE”, ka shkruar Bislimi, duke shtuar se pas prites së shumtë tashmë çështja e liberalizimit ka ecur tutje.
Ndërkaq, sipas Bislimit qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza më së largu me janar 2024.
“Pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë kemi ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024”, ka shtuar Bislimi.
Sipas Bislimit, arritjet dhe sukseset e Qeverisë janë vërtetuar edhe në Raportin për Vendin 2022, që e ka quajtur ‘më të mirin ndonjëherë për Kosovën’.
“Arritjet e sukseset e Qeverisë, u vërtetuan edhe në Raportin për Vendin 2022, i cili ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën.U përballëm dhe me tentativat destabilizuese nga fqinji ynë verior, të cilat i përballuam me sukses e vendosmëri.Kosova është kontribues i stabilitetit, paqes, vlerave demokratike e fqinjësisë së mirë. Jemi eksportues të demokracisë, në rajon e Evropë.Kemi shënuar të arritura të shumta gjatë këtij viti, por e dimë që ka ende punë për të bërë”, ka shkruar Bislimi në postimin e tij.
Krejt në fund, Bislimi ka shtuar se do të nisim këtë vit për përkushtim të plotë, angazhim dhe suksese të reja.
“Përpara, drejt një viti tjetër plot përkushtim, angazhim e suksese të reja”, ka përfunduar Bislimi.