Bislimi: Kosova ka kryer obligimet për heqjen e masave, por ka presion brenda vendeve anëtare të BE-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se, pavarësisht kryerjes së obligimeve për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ende ekziston presion dhe paqartësi nga vendet anëtare të BE-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova ka kryer obligimet e saj për heqjen e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, ky veprim ka ndodhur pas një takimi në Bratisllavë, ku është diskutuar me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, për procesin e deeskalimit të situatës në veri të vendit.

“Ne letrën që na është dërguar për këto masa, thuhet që masat janë të përkohshme, janë të kthyeshme dhe të bazuara në një proces kredibil të deeskalimit të situatës në veri. Pas kësaj kemi pasur një takim në Bratislavë, kur kemi diskutuar me Ljaçak për atë se çfarë nënkuptojnë masat të cilat do të çonin në deeskalim të situatës, dhe, rrjedhimisht, edhe në largimin e masave ndëshkuese nga BE-ja. Dhe kemi ndërtuar një dokument katërpalësh që ka të bëjë me prezencën e policisë rreth objekteve komunale, vlerësimin e situatës së rrezikut atje, miratimin e Udhëzimit Administrativ nga MAPL-ja rreth opsioneve sesi mund të shkarkohet kryetari në Kosovë, dhe ne i kemi përmbushur obligimet tona”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë se ka paqartësi te vendet anëtare në lidhje me mekanizmin e largimit të këtyre masave dhe ka theksuar se mund të ketë presion dhe frustrim nga të tjera që të hiqen.

Ai ka bërë një krahasim midis veprimeve të ndërmarra nga BE-ja ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se Serbia nuk ka marrë masa për agresionin terrorist në Banjskë.

Zëvendëskryeministri Bislimi, gjithashtu, ka kritikuar BE-në duke thënë se ka një qasje të pabalancuar që ka dëmtuar vendin.

“Me gjasë ka paqartësi se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare sesi ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetarët e komunave në zyrat e tyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve legjitim, ndërsa Serbia nuk ka masa edhe për shkak të agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë, domethënë ka një qasje të pabalancuar të BE-së dhe një qasje që ka dëmtuar vendin tonë”, ka deklaruar ai, raporton Dukagjini

“Të martën do të kemi vizitë nga dikush prej Brukselit” 

Ai ka theksuar se masat e BE-së janë të kufizuara vetëm në takime të nivelit të lartë me përfaqësuesin e institucioneve të Kosovës dhe ka bërë një thirrje për një qasje më të drejtë dhe të balancuar.

Përveç kësaj, Bislimi ka njoftuar edhe për një vizitë të martën, më 30 janar, të një përfaqësuesi nga Brukseli.

“Masat e BE-së janë të kufizuara vetëm në takimin e nivelit të lartë me përfaqësuesin e institucioneve të Kosovës, por ju jeni dëshmitarë që këto takime kanë vazhduar po vazhdojnë edhe më tej. Të martën do të kemi prapë vizitë nga dikush prej Brukselit që vjen në Prishtinë”, ka deklaruar mes të tjerash Bislimi.

Lexo edhe: Bislimi: Këtë vit prioritet pranimi i pyetësorit nga KE-ja, rezultatet do të na sjellin statusin e vendit kandidat

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për planin e rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili i solli rajonit 6 miliardë euro të reja dhe, sipas zëvendëskryeministrit, Kosova përfiton 950 milionë euro brenda katër viteve.

“Kjo njëherit përbën shumën më të madhe që Kosova ka pranuar dhe pranon ndonjëherë nga BE-ja në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Plani i rritjes nuk është vetëm një mundësi për reforma dhe rritje ekonomike, por për një mundësi për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika