Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi ka thënë se kthimi i së enjtes i Listës Serbe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dëshmon se largimi i tyre ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit dhe se është demaskim i lojërave të ndyta të autoriteteve të Serbisë para komunitetit ndërkombëtar, por edhe vetë para qytetarëve serbë.
“Për mua kthimi i Listës Serbe sot në Kuvend apo zëvendësimi i ulëseve nga vet ata, është demonstrim i qartë i argumentit tonë se largimi i tyre nuk ka pasur kurrfarë baze pakënaqësie eventuale por ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit. Nga momenti i largimit deri në momentin e kthimit nuk ka ndodhë kurrfarë ndryshimi. Rrjedhimisht, siç e kanë thënë vet ata, kjo është pjesë e strategjisë së tyre, pra po tregojnë se janë duke ndërtuar strategji për të dobësuar funksionalizimin e institucioneve tona”, ka theksuar Bislimi në një intervistë në “RTK Prime”.
Sipas Bislimit, ky “është demaskim edhe para komunitetit ndërkombëtar, edhe pse ata shumica e dinë se këto janë lojëra të ndyta politike të Beogradit, jo të Listës Serbe’.
Krahas kësaj, ai ka thënë se para së gjithash, kjo mund të paraqes një gjë pozitive se një demaskim i tillë po bëhet para qytetarëve serbë, votuesit e listës serbe.
“Mirëpo, ndoshta është pozitive që ky është demaskim edhe para vetë qytetarëve serbë që i kanë votuar. Mandati i deputetit kërkohet me një synim, që të promovohen e shtyhen përpara interesat e një grupi të caktuar. Lista Serbe ka shtyrë zero interesa. Me këtë i ka treguar qytetarëve se synimi im nuk është t’i shtyjë agjendat apo interesat tuaja por të pengojë agjendat e shtetit të Kosovës”, ka shtuar Bislimi.
Ai ka thënë se nuk mendon që pengimi i avancimit të zhvillimit të mëtejmë të Kosovës është interes i qytetarëve serbë gjersa ka theksuar se Lista Serbe paraprakisht i ka tradhtuar votuesit e saj për të mundur të realizojë agjendën jomiqësore të Beogradit në Kosovë.