Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, këtë të martë ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në takim është diskutuar mbi hapat tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike.
Lidhur me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ka ritheksuar se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar në mes të palëve.
Po ashtu, ai ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj.
Lajçak pas takimit me Bislimin: Diskutuam për Marrëveshjen Bazë dhe dinarin serb
Sipas tij, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Bërnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribuojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes.
Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre.
Më tej, në lidhje me rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anёtarёsimi i Kosovёs nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.
“Rregullorja e BQK-së s’është pjesë dialogut”
Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave në mes të palëve.
Po ashtu, siç thuhet në njoftim, Bislimi ia ka siguruar Lajçakut se Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, të shёndetёsisё dhe të mbrojtjes sociale.
“Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Në përfundim, Bislimi e ka njoftuar emisarin edhe me hapat të cilat po i ndërmerr qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore.