Zëvendëskryeministri i parë në Kosovë, Besnik Bislimi, të martën e 25 tetorit është takuar me ministrin për Shkencë dhe Edukim të Kroacisë, Radovan Fuchs.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Bislimi ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale dhe partneriteti i ngushtë mes Kosovës dhe Kroacisë vijon të thellohet.
“Me ministrin për Shkencë dhe Edukim të Kroacisë, Radovan Fuchs, biseduam mbi projekte konkrete me interes të përbashkët, të cilat mund të realizohen mes dy vendeve tona dhe ku përfituesit kryesorë do të jenë qytetarët”, ka shkruar Bislimi.
Sipas tij, Kosova është e interesuar të bashkëpunojë me Kroacinë dhe të marrë shembujt më të mirë në fusha të ndryshme.
“Një nga to, është dhe reformat dhe politikat arsimore, me theks të veçantë në rritjen e cilësisë në edukim”, shtoi ai.
Ndryshe, kryeministri i Kroacisë, Andres Plenkoviq, më 19 tetor, ka shpallur vendimin për rritjen e pagës minimale nga 457 euro në 559,7 euro.
Plenkoviq, në seancë ka thënë se kjo shumë do të ndryshojë në vitin 2023. Ai ka shtuar se do të ndryshojë edhe pagën mesatare gjatë mandatit të tij.
“Shuma bruto do të jetë 700 euro nga 1 janari i vitit 2023. Deri në fund të mandatit ne duam që paga mesatare të jetë 1088 euro”, ka thënë Plenkoviq.
Ky zhvlerësim i pagës paraprake ka ardhur si pasojë e inflacionit rekord. Çmimet e konsumit në gusht ishin 12.3 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në shtator inflacioni u përshpejtua në 12.8 për qind, ka raportuar Index.
Për periudhën janar-gusht të këtij viti, paga mesatare mujore për të punësuarit juridikë ka qenë 1006 euro që është 2.3 për qind më e ulët sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Kjo ulje e pagës dhe njëkohësisht ngritja e çmimeve, ka bërë që kryeministri kroat të marrë vendimin për rritjen e pagës minimale në vend, thekson Index.