Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor.
Pas vendimit të BE-së që t’ia ndajë Ukrainës një pako ndihme prej 50 miliardë eurosh, Bislimi ka thënë se sigurimi i financave për Planin e Rritjes të Ballkanit Perëndimor është hap i madh drejt integrimit.
Në një postim në llogarinë e tij në “X”, ka thënë se ky vendim tregon rëndësinë e unitetit dhe bashkimit.
“Vendimi i sotëm i BE-së tregon rëndësinë e unitetit dhe bashkimit. Të njëjtat parime morale që duhet të jenë forcë lëvizëse edhe për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuptim, sigurimi i financave për Planin e Rritje së Ballkanit Perëndimor është hap i madh drejt integrimit”, ka thënë Bislimi.
Today’s #EUCO decision indicates the importance of unity & togetherness. Same moral principles that should be a driving force also for the WB. In this sense, providing of finances for the #WesternBalkans Growth Plan, is a major step towards 🇪🇺 integration.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) February 1, 2024
Ndryshe, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se 27 anëtarët e bllokut evropian janë pajtuar për paketën e re të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh.
Marrëveshja u arrit gjatë një samiti të udhëheqësve të Bashkimit Evropian të mbajtur në Bruksel më 1 shkurt.
Miratimi i paketës së ndihmës ishte vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve paraprake të Hungarisë.
“Kemi marrëveshje… Kjo zhbllokon fiinancimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën. BE-ja po merr udhëheqjen dhe përgjegjësinë në mbështetje të Ukrainës. Ne e dimë se çfarë është në rrezik”, shkroi Michel në X, që më herët njihej si Tëitter.
Një paketë e tillë e ndihmës ishte bllokuar dhjetorin e kaluar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.