Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar mbi takimin e tij më emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e me të cilin ka diskutuar një sërë çështjesh.
Në një konferencë për media, Bislimi thotë se gjatë takimit, tema e parë për të cilën u diskutua ishte domosdoshmëria e formalizmit të marrëveshjes bashkë me aneksin zbatues.
“Ka deklarata nga Serbia që ata zbatojnë çdo marrëveshje, të cilën e nënshkruajnë, kjo deklaratë fton për nënshkrim. Me këtë deklaratë, Vuçiq thotë se nëse doni që ta zbatojë marrëveshjen bazike, më detyroni ta nënshkruajë të njëjtën. Ka letra që Bërnabiq ka dërguar në Parlamentin Evropian ku thekson se nuk e kanë këtë marrëveshje nuk duan që ta zbatojnë…”, tha ai.
Bislimi theksoi se tema e dytë e diskutuar kishte të bënte me domosdoshmërinë e largimit sa më të shpejtë të masave ndëshkuese nga BE-ja.
“Kemi prezantuar argumentet tona pse vendosja e këtyre masave dëmton vendin, pse është e palogjikshme dhe vendos jobalancë edhe në dialog dhe pengon rrugëtimin evropian të Kosovës. Ka dakordim që është e pakuptimtë që Kosovës i janë vendosur masa pse ka dërguar 4 kryetarë në zyret e tyre, ndërsa Serbisë nuk i janë vendosur masa edhe pas aktit terrorist në Banjskë”, shtoi ai.
Po ashtu, ai njoftoi se si temë e tretë është diskutuar edhe për problemet ende të pazgjidhura nga udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së energjisë.
“Në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura te konsumatorët e energjisë në veri, por ende janë disa çështje që presin për t’u zgjidhur”.
Tema e katërt thotë ai se ka të bëjë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për përforcimin e suficitit të buxhetit të komunave veriore për shlyerjen e borxhit ndaj KOSTT-it.
Ai njoftoi se një diskutim u bë edhe për çështjen e targave, nevojë që në veri të ketë autoshkolla, qendra të kontrollit teknik, konfiskimin e patentë shoferëve të lëshuar nga Serbia, zgjedhjet në veri, problemi për vendimin e Komisionit Evropian për pasaportat serbe në Kosovë e shkeljet që bën MTS-i.