Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrim Evropian, ka thënë se raporti për vendin për vitin 2022 nga Komisioni Evropian, thekson se Kosova ka pasur stabilitet politik përgjatë këtij viti.
Te Qeveria, siç ka theksuar Bislimi, raporti për vendin konstaton se Kosova gëzon stabilitet politik dhe institucional që ofron një mjedis të përshtatshëm dhe mundësi për të zbatuar reforma për integrim në BE dhe për të miratuar legjislacionin e vonuar.
“Raporti për vendin i vitit 2022, i përpiluar nga komisioni Evropian, i cili thekson se Kosova ka pasur stabilitet politik, unë mendoj që për zbatim të suksesshëm të reformave, stabiliteti politik është alfa dhe omega për sukses të reformave”, ka thënë Bislimi.
Te pjesa që përfshin bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe dialogun me Serbinë, Bislimi ka potencuar se raporti për vendin konstaton se Kosova ka vazhduar angazhimin e saj në një sërë nismash të bashkëpunimin regjional, si CEFTA, komuniteti i energjisë, transportit, këshilli i bashkëpunimit rajonal.
Po ashtu, thuhet se Kosova në përgjithësi mban marrëdhënie të mira bilaterale me vendet e tjera që janë në zgjerim dhe shtetet fqinje që janë anëtare të BE-së.
Ndërkaq, sa i përket dialogut, raporti konstaton se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdoi gjatë gjithë periudhës raportuese, me takime të rregullta mujore në nivel të kryenegociatorëve dhe me një takim të nivelit të lartë në Bruksel më 18 gusht 2022.
“Tashmë nga data 23 nëntor, kemi hyrë në një fazë të re të dialogut”, shtoi Bislimi.
Në anën tjetër, Bislimi ka thënë se në këtë raport ka gjëra që shënohen si progres, ka gjëra, për të cilat, Qeveria beson që BE-ja ka qenë pak dorështrënguar në theksimin e progresit, por ka edhe konstatime, me të cilat, jodomosdoshmërisht pajtohen.
“Në këtë raport nuk përmendet fjala ndikim politik për punësimet apo ndërhyrjet në institucionet si administratë, gjyqësor, Radio televizionin publik, shkollat, universitetin publik, administratën tatimore dhe doganat, që kanë qenë të përfshira në listën e atyre, për të cilat, në tri vitet e fundit ka pasur brenga të Komisionit Evropian për interefernca politike”.
Ai, po ashtu, ka thënë se Qeveria stabile në këtë krizë ka mundësuar se duke qenë afër qytetarit, “kemi sukses në vaksinim të plotë, sukses në situatën për energji, dhe sidomos sukses në adresimin e pasojave negative që inflacioni ka pasur te kategoritë e caktuara të shoqërisë”.