Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme.
Kjo rregullore vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme.
Ai ka thënë se çfarëdo tentative që rregullorja të trajtohet vetëm nga aspekti i ndalimit të ndonjë monedhe të caktuar, përbën tendencë të keqpërdorimit të kësaj rregulloreje për motive të tjera.
“Rregullorja e BQK-së hyn në fuqi nga dita e nesërme. Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfere nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër. Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim, meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, ka deklaruar Bislimi.
Sipas Bislimit, qëllimi i rregullores nuk ka qenë ndalimi i ndonjë valute tjetër dhe se nuk ndalon, nuk lejon e as nuk merret me dinarin serb, pasi siç thotë ai, nuk ka qenë i lejuar as më herët.
“Rregullorja as nuk e ndalon e as nuk e lejon, e as nuk merret me dinarin serb, sepse nuk ka qenë i lejuar më herët”, ka vijuar ai.
Bislimi ka thënë tutje se qytetarëve serbë do t’u mundësohet një periudhë tranzitore për t’u informuar më mirë rreth ndryshimeve në këtë rregullore, duke përsëritur se euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare, dhe se nga nesër nuk do të ketë masa ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.
Sipas Bislimit, mekanizmat e Qeverisë që mbikëqyrin këtë rregullore do të fokusohen për investim në informim dhe do t’u kërkohet bizneseve në veri që të regjistrohen e komercializohen teksa ka shtuar se bankat komerciale janë udhëzuar të hapin degë në veri.
“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, edhe miqtë tanë nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores. Nuk e vë në dyshim që BQK është institucion i pavarur. Nuk e kontestojnë që euro ka qenë dhe vazhdon te jetë e vetmja valutë në qarkullim. E vetmja brengë e partnerëve tanë është që në përshtatje.. të kenë pak me shumë kohë në dispozicion dhe te jenë të informuar mirë për ndryshimet në rregullore”, ka theksuar ai.
Ai ka njoftuar se Qeveria ka lutur menaxhmentin e BQK-së që të vendosë linjë komunikimi me Bankën e Serbisë për të gjetur mekanizmat e duhur për mjetet që vijnë nga Serbia.
Ai tha se shpreson në bisedime mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë, për gjetjen e një marrëveshjeje për transferimin transparent të mjeteve në Kosovë.
Bislimi e kritikoi Serbinë për keqpërdorim me para në emër të serbëve të Kosovës.
“Presidenti serb deklaron që ai dërgon në Kosovë çdo vit 800 milionë euro, sikur të vinin 800 milionë euro në Kosovë, serbët e Kosovës do t’i kishin të ardhurat si qytetarët e Japonisë. Në Kosovë do të vijnë më pak se 200 milionë euro. Vendosja e transparencës e vendos në siklet Vuçiqin të deklarojë ku shkojnë paratë e tjera”, ka shtuar Bislimi.