Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me disa përfaqësues të ambasadorëve të rinj të Kosovës (YEA).
Me anë të një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se me rastin e liberalizimit të vizave, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024, qytetarët do të mund të udhëtojnë të lirë, për vizita afatshkurtra.
“Të rinjtë janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë. Sot, takova disa përfaqësues të ambasadorëve të rinj të Kosovës (YEA). Me ardhjen e liberalizimit të vizave, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë të lirë, për vizita afatshkurtra. Veçanërisht për të rinjtë, të cilët do të mund të vizitojnë kryeqendrat evropiane, pa barrierat e së kaluarës”, shkroi Bislimi.
Ai thotë se gjatë këtij takimi kanë diskutuar mbi fushatën e Qeverisë për liberalizimin e vizave, e kontributin që ata mund të japin në informimin e bashkëmoshatarëve të tyre, sipas edhe rolit që mbajnë si ambasadorë të rinj.
“Të rinjtë janë forcë shtytëse e një shoqërie, veçanërisht në vendin tonë, prej rinisë dinamike e moshës mesatare relativisht të re. I falënderova ata për takimin e bisedën e frytshme të zhvilluar”, shtoi më tej ai.