Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar të hënën drejt Brukselit.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Bislimi do të marrë pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Më katër prill, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Zëdhënësi i BE-së, Stano tha se presin nga të dyja palët “që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete”, dhe shtoi se “palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ”.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.