Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu është refuzuar leja për të vizituar Luginën e Preshevës.
Kështu është bërë e ditur për Portali Dukagjini, nga Ragmi Mustafi – zyrtar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.
Sipas tij, kjo vizitë nuk do të realizohet prandaj edhe shtyhet për një afat tjetër të papërcaktuar.
“E konfirmoj që është planifikuar që ta vizitojnë Luginën e Preshevës për sot, dhe për shkak të mos lejimit e njëjta vizitë shtyhet për një kohë të pacaktuar”, ka thënë ai.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia nuk i lejon zyrtarët shtetërorë të hyjnë brenda territorit të Preshevës për vizitë.

Më 27 nëntor të vitit 2021, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte njoftuar se Serbia ka refuzuar një kërkesë për vizitë në 3 komunat e Luginës së Preshëvës – Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.
Sipas Aliut, refuzimi është ardhur vetëm pak kohë para nisjes ndërsa bashkë me të ishte planifikuar të shkonin edhe tre ministra të tjerë, Arsimit, Financave dhe i Kulturës.
“Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes”, kishte shkruar Aliu në Facebook.

Pas moslejimit të ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës për vizitën dy ditore, kishte reaguar edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
“Ky refuzim si i tillë shpërfaq në mënyrë të natyrshme tendencën për të pamundësuar jo vetëm thjeshtë vizitën, por në radhë të parë për të pamundësuar bashkëpunimin e bashkërendimin e drejtpërdrejtë si dhe bashkëfestim e Festës së Flamurit – 28 Nëntorin”, kishte shkruar në Facebook.
Ai ishte shprehur i indinjuar dhe ka thënë se refuzimi i kërkesës për vizitë është ripasqyrim i mentalitetit të shekullit të kaluar.