Biznesmenia 30-vjeçare tregon se si arriti ta realizojë punën e ëndërruar në Kosovë

Kur bëhet fjalë për realizimin e ëndërrave në Kosovë, jo shumë njerëz të cilët janë pjesë e saj mendojnë se mund t'ia dalin që ta bëjnë realitet ëndrrën që e kanë. Por, për biznesmenen e re, Ardijana Rexhaj, nuk është kështu, pasi ajo plotësoi ëndrrën duke u kthyer nga diaspora në Kosovë

Ardijana Rexhaj

Bizneset nuk kanë paragjykime kur bëhet fjalë për kreativitetin dhe inovacionet e reja.

“Ne mundemi, për sa kohë që e besojmë”.

Janë këto fjalët e investitores, Ardijana Rexhaj, që u kthye nga Norvegjia për të investuar në Kosovë.

Ajo ka treguar se arritjet e saj i bëri më të mëdha prania dhe pretendimet në “arenën” e biznesit, kështu pasi hapi kompaninë dhe biznesin e saj, i cili u titullua “Kërkoj”.

“Të fillosh një biznes, apo vetëm të kesh mendime për të arritur diçka për të cilën ti e quan ëndërr, në një vend ku ti e ke vendlindje dhe jo vendbanim, padyshim se është e vështirë”, ka thënë Rexhaj në intervistë për Portalin Dukagjini.

Ajo ka shtuar se nuk dinte asgjë për Prishtinën dhe i është dashur të mësonte gjithçka nga fillimi.

Ardijana Rexhaj

“Kam hasur në shumë vështirësi në fillim, dalëngadalë fillova të krijoj kontakte dhe të njoh më shumë njerëz që ma lehtësuan procesin e themelimit të kompanisë, më ndihmuan të gjej punëtorë të cilët për mua ishin kyç për fillimin e biznesit”, është shprehur ajo.

Kompania ishte themeluar në vitin 2019, ndërsa përfundimi i platformës është realizuar në prill të vitit 2022. Ajo ka thënë se qëllimi i tyre kryesor pas 10 vjetësh, është të bëhen tregu kryesor për njerëzit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Të jemi në shtëpinë e të gjithëve dhe të drejtojmë, si individët ashtu, edhe bizneset online duke u ofruar atyre mundësinë për të shitur artikujt e tyre, për të gjetur punën ose për të rritur biznesin e tyre”, është shprehur Rexhaj.

Emri i platformës “Kërkoj”, është menduar gjatë, madje Rexhaj ka treguar se kishte marrë edhe fjalorin shqip, duke e lexuar faqe për faqe që të gjejë diçka që i tingëllonte si e duhur, për atë që kompania do t’u ofronte të tjerëve.

“Kërkoj.com si platformë është për shitje, blerje, dhe vendosje me qera, e cila ka shumë kategori dhe shumë nënkategori. Synimi është që “Kërkoj” të jetë vendi i bizneseve dhe individëve, që “Kërkojnë”, dhe duke e menduar fjalën “Kërkoj”, disa herë, u ktheva dhe vendosa ta zgjedhja këtë emër, pra erdhi duke kërkuar dhe mbet i tillë”, ka thënë ajo.

Arsyeja e vetme e saj që qëndron në Kosovë është dëshira për t’i ndihmuar bizneset e vogla, që shitjet e tyre të rriten me anë të platformës, “mundësia për diçka më ndryshe”.

Gjithashtu, ajo mendon se me këtë platfromë bën të mundshëm edhe vetëdijësimin e njerëzve për riciklim, po ashtu për gjërat second hand (të dorës së dytë) dhe përdorimin e tyre pasi të vjetrohen.

Rexhaj ka treguar se këtë rrugëtim e ka filluar me qëllimin që të investojë në vendin e saj, pra dëshira që t’i sjellë vendlindjes diçka ndryshe nga bizniset e tjera.

Foto ilustrim, Kosova

“Rrugëtimi dhe shtytja ime kryesore për t’u kthyer nga Norvegjia ishte para se gjithash investimi në vendin tim, dëshira për t’i sjellë vendlindjes sime diçka më ndryshe nga bizneset e tjera, biznes ky për të cilin do t’ia vlente dhe do t’i shërbente vendit, po ashtu edhe diasporës”, ka thënë ajo

Babai i saj, pak para se të fillonte lufta, ishte i detyruar të shkonte në Norvegji për shkak të situatës së luftës. Ai ishte i rrezikuar, ngase ishte djali i vetëm në familje, pjesa tjetër e familjes mbetën në Kosovë edhe për 3 vjet të tjera, ku më pas u bashkuan me babain në Norvegji.

“Familja ime vazhdon jetesën në Norvegji, ndërsa unë jam shpërngulur në Kosovë për shkak të mallit për vendlindje edhe ata vijnë shumë shpesh në vizitë”, është shprehur ajo.

Fillimi i karrierës së saj kishte nisur në moshën 18-vjeçare, kur u largua nga Kosova për të studiuar në Oslo të Norvegjisë, në degën e Administrimit të Biznesit.

Kryeqyteti i Norvegjisë Oslo

Aty Rexhaj kishte studiuar për katër vjet, gjithashtu, ka punuar katër punë part-time përgjatë studimeve.

“Pasi mbarova fakultetin, jam kthyer në vendbanimin e mëparshëm për të punuar me babin tim, i cili kishte hapur një kompani në vitin 2007 në të cilën kam punuar 3 vjet, më pas fillova të punoja si konsulente në një nga 5 kompanitë më të mira të konsulencës në botë” ka treguar ajo.

Sipas saj, puna në Norvegji dhe në Kosovë ka shumë dallim, për shkak që ishte e detyruar ta ndërronte fushën e punës nga konsultente në CEO, e me titull edhe obligimet e saj ishin rritur shumë.

Fillimi i platformës “Kërkoj”, dhe motivi kryesor i nisjes

“Platforma ka filluar me hasjen në probleme për të gjetur shtëpi, tokë apo çkado tjetër në Kosovë, një prej ditëve babai im po kërkonte të blinte tokë në Kosovë ose në Ulqin dhe më tha se po haste në shumë vështirësi, sepse nuk kishte ndonjë platformë e përshtatshme dhe serioze e cila përmbante informacionet dhe shërbimin e duhur. Kompanitë ishin joserioze dhe nuk kishin përgjigje konkrete, babai më njoftoi për problemet që i hasi gjatë procesit, duke më propozuar kështu idenë për të krijuar një platformë”.

Sa i përket financimit, platforma “Kërkoj” është vetëfinancuar, pasi Rexhaj ka punuar 12 orë në ditë në Norvegji sepse i duheshin të ardhurat për ta zhvilluar biznesin.

“Pas një viti punë intensive e pata mundësinë të filloja platformën”, është shprehur ajo.

Sipas saj, motivimi kryesor eshte mundësia për të krijuar diçka që shton vlerë në Kosovë, por gjithashtu mundësi për biznese të vogla, mesatare dhe të mëdha.

Foto ilustrim

Si funksionon “Kërkoj”, për qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës?

Kerkoj.com është platformë e re në web dhe aplikacion ku ju mund të shitni, jepni me qira ose dhuroni produktet, asetet dhe gjërat tuaja si individ apo si biznes.

Platforma i ka shtatë kategori kryesore: Patundshmëri, automjete, punë, elektronikë, rroba dhe këpucë, mobilje dhe kategori të tjera (kozmetikë, kopsht, gjëra antike, e shumëçka tjetër). Në të gjitha këto kategori ju mund të kërkoni apo të postoni shpallje me artikujt që dëshironi, nga telefoni ose kompjuteri juaj!

Rexhaj ka treguar se platforma është edhe për përdoruesit jashtë vendit. Edhe diasporës ua mundëson të gjejnë në mënyrën më të shpejtë një vend qëndrimi gjatë pushimeve në Kosovë, me anë të kategorisë ”Patundshmëri”, makinë për t’i shijuar sa më shumë pushimet, dhe çkado tjetër që u nevojitet për t’i kompletuar pushimet në Kosovë.

Foto nga platforma “Kërkoj”

Funksionimi i platformës, “Kërkoj”

Platfoma Kerkoj.com funksionon njëjtë për të gjithë si në Kosovë, ashtu edhe jashtë Kosovës. Platforma i ka dy lloje të llogarisë, është ajo individuale dhe ajo e biznesit.

Nëse jeni duke u regjistruar si llogari individuale, përveç që keni mundësi të vendosni listimet tuaja, keni mundësi të krijoni CV-në tuaj, dhe të aplikoni në vende pune që janë të hapura në Kerkoj.com.

Nëse keni biznes tuajin, mund të regjistroheni si llogari biznesore ku mund t’i shfaqni shpalljet tuaja me një vend, postim për shpalljen e vendeve të punës, vendosjen e mediave sociale, statistikat e listimeve tuaja, mund ta përcillni një kompani për të cilën keni interesim për shpalljet e tyre të fundit.

Si biznes mund t’i shikoni statistikat e shpalljeve tuaja duke u informuar kështu për klikimet në shpallje, cili produkt është më i shikuari, shpalljet e ruajtura, mund të postoni vende pune, numrin e ndjekësve që keni.

Edhe pse janë në fillim të punës,“Kërkoj” është rritur si staf, me programues, dizajnerë dhe asistentë të shitjes.

“Shpresojmë që njerëzit të shijojnë përdorimin e platformës “Kërkoj”, po aq sa ne jemi duke shijuar krijimin e saj”, ka thënë ajo.

Rexhaj ka thënë se përkrahje nga institucionet e shtetit nuk kanë pasur, janë vetëfinancuar, duke shtuar se kanë hasur në shumë vështirësi, pasi shpenzimet për krijimin e platformës ishin shumë të mëdha.

Ndërsa, Rexhaj tashmë fokus kryesor e ka zhvillimin sa më të mirë të platformës.

Ajo u ka bërë thirrje rinisë kosovare të mos braktisin vendin e tyre, pasi sipas saj, mundësitë edhe në Kosovë janë të panumërta, mjafton puna, përkushtimi dhe dashuria për punën që doni të arrini.

Shija e redaktorit

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Presidentja Osmani uron Vitin e Ri 2025: Kosovën ta shndërrojmë...

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2025 nëpërmjet një video mesazhi, ku ka potencuar rëndësinë e angazhimit që Kosova të...

Të fundit nga rubrika