Ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili luajti një rol kyç në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, iu drejtua sot Kuvendit të Kosovës me një fjalim të veçantë për të shënuar 25-vjetorin e çlirimit të vendit,
Ish-kryeministri britanik ka thënë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj.
Blair bëri thirrje për përkushtim ndaj ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për popullin e Kosovës, duke kujtuar sakrificën dhe kurajon e atyre që luftuan për lirinë e vendit.
“25 vjet më parë, Kosova fitoi lirinë e saj dhe populli i saj fitoi të drejtën për të jetuar, shpresuar dhe besuar sërish,” tha Blair, teksa kujtoi përvojat e tij gjatë asaj kohe, përfshirë tensionet e negociatave dhe takimet me refugjatët kosovarë.
Blair shprehu mirënjohje për bashkëpunëtorët e tij ndërkombëtarë dhe liderët kosovarë, duke përmendur në veçanti presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova dhe presidentin amerikan Bill Clinton.
Blair theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për pavarësinë e fuqishme të Kosovës dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Atëkohë, takova refugjatët afër Shkupit dhe pashë fytyrat e tyre përballë fytyrës time, që kërkonin ndihmë. Ne ndihmuam dhe kurrë nuk do ta harroj këtë. Falënderoj të gjithë ata që punuan me mua për atë ditë, në veçanti presidentin Rugova, sekretarin Solana, kryeministrin Italian, gjeneralin Clark, gjeneralin Clarkson dhe sigurisht lidershipin vital të presidentit Klinton. Vendosmëria juaj simbolizon dëshirën tuaj për një të ardhme më të mirë. Është për pavarësinë e fuqishme dhe shtetin e pavarur sovran dhe përpjekjen e Kosovës për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Blair.
“Ne i dhamë fund një makthi, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr,” tha ai, duke nënvizuar se ndjekja e shembullit të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës është detyrimi më i madh për brezin e sotëm.