Blakaj: Është koha e fundit që Prokuroria të hetojë dhe të dënojë kryesit e veprave penale gjatë luftës

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka qenë i ftuar të enjten në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini ku ka folur më shumë për arrestimet e kryera së fundi për personat të cilët kanë kryer vepra penale në kohën e luftës. Blakaj ka shtuar se është koha e duhur që Prokuroria të kryejë hetime dhe të gjejë kryesit e veprave, sepse nëse vazhdohet kështu, viktimat nuk do të shohin drejtësi dhe dëshmitarët mund të mos jenë prezentë në vitet e ardhshme

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtat Humanitare





Të enjten e 20 tetorit, Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka qenë i ftuar në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini dhe ka theksuar se Prokuroria e Kosovës duhet të punojë më shumë, që sa më shpejt kryesit e veprave penale në kohë të luftës të gjejnë dënimin e merituar.

Mirëpo, sipas Blakajt, që Kosova të mund të dënojë kryesit e veprave, nevojitet bashkëpunim mes Prokurorisë së Kosovës dhe Serbisë.

“Problemi qëndron te Serbia që nuk e njeh Kosovën si shtet, që nuk bashkëpunojnë këto vende dhe kështu po u ofrohet mundësia atyre që kanë kryer krime të jetojnë të qetë”, ka thënë ai.

Njashtu, Blakaj ka shtuar se në dialogun në Bruksel, Kosova duhet të ngritë si çështje të rëndësishme edhe çështjen e personave të zhdukur, si dhe duhet të kërkojë që bashkëpunimi juridik mes prokurorive Speciale të të dyja vendeve të rritet.

Tutje, Blakaj ka vlerësuar punën e shoqërisë civile e cila ka arritur të dokumentojë disa nga krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, njashtu ka vlerësuar edhe punën e Fondit për të Drejtat Humanitare, pasi ka bërë hulumtime të periudhës së viteve 1998/99 dhe tashmë është në prag të miratimit të një paragrafi të ri në Institutin e Fondit, që me anë të këtij paragrafi do të hetohen edhe krimet e kryera pas kësaj kohe.

“Ne si Fond i kemi dërguar disa rekomandime, që Instituti ka hulumtuar nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999. Dhe tani është futur edhe një paragraf i ri, ku thuhet se do të hetohen edhe krimet pas kësaj kohe, jo më larg se fundi i vitit 2000”, ka theksuar Blakaj.

Blakaj ka theksuar nevojën që Kosova të shkruajë dhe të hulumtojë më shumë për krimet e luftës dhe, padyshim, t’i dënojë ata që kanë kryer krime lufte. Madje, Blakaj theks të veçantë i jep faktit se paqja e së ardhmes ndërtohet nëse rregullohet e kaluara.

“Në mungesë të dokumentimit të saktë, gjeneratat e reja që nuk e kanë përjetuar luftën, nëse nuk kanë burime të informacionit, mund të krijojnë një ide ndryshe dhe jo të saktë për luftën. Edhe nëse nuk mund të arrihet drejtësi për viktimat, duhet të paktën të dokumentohen, sepse është hapi i parë i një pajtimi apo kohë ekzistence paqësore. Për të kaluar konfliktet në të ardhmen, duhet të zgjidhet e kaluara”, ka përfunduar Blakaj.