Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas pajisjes së ushtrisë sonë me dronë Bayraktar, ka thënë se ishte gjithmonë prioriteti i tij blerja e armatimit dhe pajisja e FSK-së me armatim modern të teknologjjsë së fundit, të cilat gjithnjë janë sipas standardeve të NATO-s.
“Dronat Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit të cilat i kemi blerë, posedimit i të cilave kam vlerësuar së është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, por me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit Kurti, të Qeverisë dhe gjithashtu mbështetje të fuqishme ndërkombëtare me të cilë do të vazhdojmë të rrugëtojmë krahë për krahë gjithmonë, kemi arritur të përmbyllim me sukses edhe këtë projekt madhështor”, ka shkruar Mehaj.
Ministri Mehaj ka thënë se vazhdojnë të furnizohen çdo ditë për të ngritur kapacitetet e tyre. Sipas tij, projektet në vazhdim do të jenë hapa të mëdhenj drejt zhvillimit të forcës sonë.
“FSK-ja me shpirtin luftarak të trashëguar nga UÇK-ja dhe me pajisjet moderne që po i sigurojmë çdo ditë, bëhet ushtri e pathyeshme dhe garantuese e paqes. Republika e Kosovës duhet të jetë vendi i 33 që anëtarësohet në NATO, detyrat tona në këtë rrugë do t’i kryejmë me përkushtim dhe së bashku do ta realizojmë edhe këtë aspiratë”, ka shkruar ai.
Për këtë më vonë reagoi edhe vetë Ministria e Mbrojtjes, e cila tha se ushtria jonë çdo ditë e më shumë po konsolidohet, jo vetëm në aspektin e kuadrove profesionale, por dhe në furnizimin me pajisjet më moderne ushtarake.
“Siguria e qytetarëve dhe territorit të Republikës së Kosovës është e garantuar”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Pak më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në arsenalin e ushtrisë ka shtuar dhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kanë blerë si Qeveri nga Turqia.
“Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Kosova tash është edhe më e sigurt “përveçse gjithnjë krenare”