Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një telefonatë me ministrin e Jashtëm të Turqisë Hakan Fidan, theksoi nevojën për të mbështetur një proces politik të drejtuar nga Siria në atë vend që “mbron të drejtat e njeriut dhe i jep përparësi një qeverie gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese”, sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit.
Blinken dhe Fidan diskutuan gjithashtu mbi nevojën për të parandaluar kërcënimin e terrorizmit ndaj Turqisë dhe Sirisë, thuhet në deklaratë.
Ministria e Jashtme turke ka theksuar se gjatë telefonatës dy kryediplomatët diskutuan mbi nevojën për të vepruar në bashkëpunim me administratën e re siriane, për të siguruar një tranzicion të rregullt, raporton Reuters.
Ministri Fidan i ka thënë Sekretarit Blinken se Ankaraja nuk do të lejojë milicinë kurde YPG të strehohet në Siri, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke.