Blinken e Cameron kërkojnë miratimin e ndihmës për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i bënë thirrje Kongresit amerikan që ta miratojë ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, duke thënë se financimi është kritik për sigurinë e SHBA-së, Evropës dhe botës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron. Uashington, 9 prill 2024.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i bënë thirrje Kongresit amerikan që ta miratojë ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, duke thënë se financimi është kritik për sigurinë e SHBA-së, Evropës dhe botës.

Duke folur pas takimit në Departamentin e Shtetit, Blinken përsëriti thirrjet për ligjvënësit që ta zhbllokojnë ndihmën që presidenti Joe Biden kërkon prej muajsh, ndërsa Cameron tha se do ta kërkojë të njëjtën gjë gjatë takimeve që do të zhvillojë në Uashington.

“Unë vij këtu pa ndonjë qëllim që t’i japë leksione dikujt, apo t’i them dikujt se çfarë të bëjë… Unë, thjesht, vij këtu si mik dhe si besimtar i madh në këtë vend. Unë besoj se është thellësisht në interesin tuaj që t’i zhbllokoni ato para”, tha Cameron.

Zyrtarë të shumtë të huaj u kanë kërkuar ligjvënësve amerikanë që të veprojnë me shpejtësi për të miratuar ndihmën për Ukrainën.

Javën e kaluar në Bruksel, pothuajse të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë thënë se kontributi i SHBA-së është thelbësor.

Paketa e re e ndihmës për Ukrainën, në vlerë prej 60 miliardë dollarësh, ka muaj që është bllokuar në Kongresin amerikan, kryesisht për shkak të ligjvënësve republikanë që janë pro ish-presidentit Donald Trump.

Ky i fundit pritet të garojë sërish për president në zgjedhjet e nëntorit dhe ka shprehur vazhdimisht rezerva për ndihmën që i jepet Ukrainës, e cila lufton kundër pushtimit rus.

Në një intervistë dhënë Televizionit Fox News, në fillim të këtij muaji, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, ka thënë se ai do që ndihma e re për Ukrainën të miratohet “tani” dhe ka thënë se do të propozojë një paketë shpejt, pasi  Kongresi të kthehet nga pushimet më 9 prill.

Johnson, aleat i Trumpit, ka thënë se propozimi i tij do të përfshijë “risi të rëndësishme”, por nuk i ka përshkruar ato.

Paketa që mbetet e bllokuar, parasheh fonde kryesisht për armë dhe pajisje të tjera ushtarake./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika