Më 15 shkurt, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, zhvilloi një vizitë disaorëshe në Tiranë, ku mbajti takime me zyrtarët shqiptarë.
Pas takimeve, ai dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë për media, duke përcjellë disa mesazhe lidhur me situatën në Ballkan, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe dialogun me Serbinë.
Në konferencë, Blinken ka vlerësuar sfidat e Ballkanit në fillimet e punës së tij, duke theksuar rolin e rëndësishëm të presidentit Joe Biden në rajon.
Ai ka thënë se shqetësimi kryesor është të shmangen përsëritjet e ngjarjeve të viteve ’90 dhe të përkushtohen për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.
“Dialogu, e vetmja rrugë përpara për Kosovën e Serbinë”
Sekretari amerikan i shtetit përcolli mesazhin se SHBA-ja do të bashkëpunojë me Shqipërinë dhe partnerët e tjerë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ai përmendi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është rruga e duhur dhe se SHBA-ja është e vendosur për t’i mbështetur të gjitha vendet e rajonit në rrugën e integrimit.
Megjithatë, Blinken nuk iu përgjigj pyetjeve rreth vendimit të BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama në fjalën e tij vuri në dukje se Kosova duhet të konsultohet me aleatët e saj për çdo hap të mundshëm dhe të mos e shohë veprimtarinë e vet si të pavarur nga ndërkombëtarët.
“Veprimet që nuk konsultohen dhe koordinohen mund të sjellin ndonjë votë, por nëse politika e jashtme kthehet në instrument të politikës së brendshme, nuk fitohet e ardhmja”, ka deklaruar kryeministri shqiptar.
Rama ka theksuar rolin e rëndësishëm të SHBA-ve në pavarësinë e Kosovës dhe i inkurajoi institucionet të mos ndërmarrin hapa të pakonsultuara me aleatët.
“Është mirë që shqiptarët kudo që janë, duke nisur nga ata në Kosovë, të mos harrojnë asnjëherë se pa SHBA-në s’do të kishte shtet të pavarur të Kosovës”, ka thënë Rama.
Po ashtu, kryeministri Rama lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ka theksuar se Kosova duhet të përparojë edhe unilateralisht, duke u konsultuar me aleatët e saj strategjikë.
Rama mes tjerash ka bërë thirrje për mosharrimin e rolit të rëndësishëm të SHBA-ve dhe ka përsëritur nevojën për bashkëpunim dhe konsultim me aleatët në çdo hap.
Blinken, po ashtu, ka thënë se Shqipëria është një forcë e stabilitetit rajonal dhe u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë atë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë është më i fuqishëm se kurrë. Kjo marrëdhënie është jetike për të adresuar shumë çështje të rëndësishme për popujt tanë”, ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit.
Po sipas tij, Shqipëria është aleate kyçe e NATO-s dhe “një zë i fuqishëm” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Lexo edhe: Blinken në Tiranë: Moment i rëndësishëm për marrëdhëniet bilaterale
Blinken arriti në Shqipëri të enjten në mëngjes dhe zhvilloi disa takime me krerë shtetërorë dhe personalitete të tjera, para se të largohej në mbrëmje. Ai u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Blinken nisi vizitën në Shqipëri duke takuar stafin e Ambasadës amerikane në Tiranë dhe është takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj.
Gjatë vizitës së tij, kryediplomati amerikan falënderoi Shqipërinë për strehimin e afër 2.500 afganëve, që ikën nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve gushtin e vitit 2020.
Ai u takua më herët gjatë ditës me disa prej këtyre familjeve afgane, që po presin të shkojnë në SHBA.
Kjo është vizita e parë e Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor. Ai pas Shqipërisë do të marrë pjesë Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidentin amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.
Në Gjermani, Blinken pritet të përqendrohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin rus, si dhe pritet të diskutojë për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet e rritura në Ngushticën e Tajvanit.