Blinken, turne në Lindjen e Mesme për të frenuar përhapjen e luftës Izrael-Hamas

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten fillon një turne në Lindjen e Mesme, i cili do të përfshijë një ndalesë në Izrael

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten fillon një turne në Lindjen e Mesme, i cili do të përfshijë një ndalesë në Izrael, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë konsultimet diplomatike mbi konfliktin Izrael-Hamas, tha të mërkurën një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtari, duke informuar gazetarët në kushte anonimiteti, tha se i dërguari diplomatik i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein do të udhëtojë gjithashtu në Izrael, për të punuar për uljen e tensioneve midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Sekretari Blinken niset të enjten në mbrëmje “për takime në një numër vendesh të rajonit, duke përfshirë Izraelin”, tha zyrtari. Sipas medieve turke, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, u tha gazetarëve se sekretari Blinken do të zhvillojë takime me zyrtarët e Turqisë të shtunën.

Turneu i zyrtarëve të lartë amerikanë në Lindjen e Mesme vjen në një kohë kur rreziku për një përshkallëzim rajonal të konfliktit u rrit pas vrasjes së zyrtarit të lartë të Hamasit, Saleh al-Arouri në Bejrut të martën.

Ushtria izraelite tha se ishte në gatishmëri të lartë për sulme të mundshme të grupit militant libanez Hezbollah. Vendimi për rritjen e gatishmërisë së ushtrisë izraelite pason njoftimet për një sulm me dron në Bejrut, në të cilin u vra Saleh al-Arouri, i cili ishte i lidhur ngushtë me sekretarin e përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Në një fjalim televiziv, Hasan Nasrallah tha se do të ketë një “përgjigje dhe ndëshkim”, por ai nuk deklaroi qartë se forcat e tij do të përshkallëzonin sulmet kundër Izraelit.

Shtetet e Bashkuara që nga 7 tetori i kanë dërguar një “mesazh shumë të drejtpërdrejtë Hezbollahut” dhe grupeve të tjera në rajon se “tani nuk është koha për të menduar për përshkallëzim të mëtejshëm”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Izraeli nisi ofensivën në Rripin e Gazës menjëherë pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit.

“Ju i keni parë hapat tanë frenues, duke dërguar atë mesazh. Ju keni parë hapat diplomatikë, që janë marrë për ta realizuar atë. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, gjatë një konference shtypi të mërkurën.

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), gjithashtu, ka shprehur shqetësim të thellë për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregohen të përmbajtura.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, dënoi sulmin izraelit, që rezultoi në vdekjen e zyrtarit të Hamasit Saleh al-Arouri, duke e quajtur atë një “krim” që synon qëllimisht të tërheqë Libanin në një fazë të re konfrontimesh.

Hamasi dhe Hezbollahu mbështeten nga Irani, aleatët militantë të të cilit në Siri, Irak dhe Jemen gjithashtu kanë kryer sulme me raketa me rreze më të gjatë veprimi kundër Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ditët e fundit, ndërsa ai po punon për të përmirësuar rrugët e dërgimit të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi./VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika