Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka uruar Kosovën me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë.
Blinken ka thënë se ShBA-ja e vlerëson partneritetin e qëndrueshëm dhe miqësinë në mes njerëzve, kështu duke përsëritur mesazhin e presidentit Joe Biden për Kosovën që dha një ditë më parë.
ShBA inkurajon Kosovën që t’i zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë në rrugën drejt njohjes reciproke.
“Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që t’i zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë në fund”, thuhet në urimin e Blinkenit.
Blinken ka theksuar tutje se ShBA-ja beson në të ardhmen e Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka shtuar se mbështet aspiratat e përcaktuara sipas Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe Evropës duke krijuar marrëdhënie të mira fqinjësore”.
“Urime mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Pavarësisë”, thuhet tutje.
ShBA-ja mirëpret mbështetjen e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë nga agresioni rus.
“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në fund të letrës.
Ndryshe, sot bëhen 16 vjet qëkur Kosova u shpall shtet i pavarur. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.