E ardhmja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, është vënë në dyshim pasi Izraeli ndaloi hyrjen e të gjitha ndihmave në Rripin e Gazës, duke shkaktuar blerje furnizimesh në panik në këtë territor.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein, Izraeli thotë se dëshiron ta zgjasë armëpushimin e tanishëm për shtatë javë të tjera, ndërsa Hamasi kërkon negociata për një përfundim të përhershëm të luftës.
Bllokimi i ndihmave ndodhi në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndim, kur edhe ulen së bashku për darkë.
Ramazani i këtij viti po shënohet mes rrënojave të shkaktuara nga luftimet e ashpra 16 mujore ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
“Mbyllja e kalimit kufitar ka pasoja negative për ne, për të zhvendosurit që u kthyem në qytetin e Gazës. Është muaji i Ramazanit dhe na nevojiten shumë gjëra. Shtëpia ime është shkatërruar nga bombardimet. Nuk më ka mbetur asgjë në Gazë. Çdo gjë kushton shtrenjtë dhe nuk e gjen dot”, thotë Mai al-Khoudari, ish drejtore e shkollës, e zhvendosur nga shtëpia e saj në Gazë.
Izraeli thotë se në Gazë ka mjaft furnizime për të zgjatur me muaj.
Ndërprerja e ndihmave humanitare ndodh ndërkohë që negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe për lirimin e pengjeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit kanë ngecur.
Hamasi rrëmbeu 250 pengje gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit të vitit 2023 në pjesën jugore të Izraelit, duke nxitur një luftë që ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve dhe të mbi 1,700 izraelitëve. Deri më tani 147 pengje janë kthyer të gjallë në Izrael, shumica përmes dy marrëveshjeve për armëpushim me Hamasin. Izraeli ka liruar rreth 2,000 të burgosur palestinezë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se vendimi për të ndërprerë ndihmat synon të detyrojë Hamasin që të vazhdojë armëpushimin aktual, sipas një propozimi të të dërguarit të posaçëm të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff.
Shumë izraelitë kanë shprehur përkrahje për qëndrimin e ashpër të kryeministrit. Por shumë nga familjet e 63 pengjeve të mbetura druhen se pezullimi i ndihmave për Gazën do t’u shkaktojë më shumë vuajtje pengjeve dhe do të rrezikojë lirimin e tyre pas më shumë se 500 ditësh që mbahen nga Hamasi.
“Ndalimi i kamionëve me ndihma humanitare në Gazë do të ndikojë edhe tek pengjet. Uria në Gazë ka ndikim të drejtpërdrejt tek ata. E dimë nga njerëzit që janë kthyer dhe kanë treguar se pengjet trajtohen ashpër”, thotë familjari i një pengu të vrarë, Zahiro Shahar Mor.
Hamasi, shtetet arabe, Kombet e Bashkuara dhe organizatat e të drejtave të njeriut e dënuan vendimin e Izraelit për të bllokuar ndihmat dhe e akuzuan atë se po shkel parimet e armëpushimit. Liga Arabe do të mbajë një mbledhje urgjente këtë javë për të diskutuar mbi nevojën për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit./VOA