Rrugët në pjesën serbe, që çojnë drejt dy pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinjë, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdarë, raporton REL.
Një qytetar serb ka kaluar kufirin nga Serbia për në Kosovë, në pikëkalimin kufitar të Jarinjes, i cili ka thënë se “ka persona që po protestojnë, por nuk kanë ndaluar qarkullimin dhe kemi kaluar pa problem.”
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinjë dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës – Merdar, Jarinjë dhe Bërnjak.
Rojeviq kishte deklaruar se bllokadat do të zgjasin derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe serbëve t’u kthehen institucionet e mbyllura paralele.
Nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara, të premten Policia e Kosovës ndërmori një aksion për mbylljen e 5 institucioneve paralele serbe, komunës se Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunës paralele të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, të Zubin-Potokut dhe asaj të Leposaviqit.