Një sulm i madh me bombë në një xhami në kryeqytetin e Afganistanit Kabul, gjatë lutjeve të mbrëmjes ka vrarë të paktën 10 persona, dhe ka plagosur të paktën 27 të tjerë.
Nuk e ka marrë askush ende përgjegjësin e sulmit të së mërkurës, i fundit që goditi Afganistanin që kur talebanët morën pushtetin.
Në mesin e të plagosurve u raportua të jenë disa fëmijë, ndërsa kryeqyteti afgan është mes frikës se numri i viktimave mund të rritet më tej.
Dega lokale e grupit të Shtetit Islamik ka shtuar sulmet që synojnë talebanët dhe civilët që nga marrja e pushtetit nga ish-kryengritësit gushtin e kaluar, ndërsa trupat e ShBA-së dhe NATO-s ishin në fazat e fundit të tërheqjes së tyre nga vendi.
Sipas një dëshmitari, një banor i lagjes Khair Khana të qytetit ku ishte shënjestruar Xhamia Siddiquiya, shpërthimi u krye nga një kamikaz (ai që vetëvritet, zakonisht me eksploziv, duke vrarë edhe të tjerët përreth).
Në mesin e viktimave ishte edhe kleriku mulla Amir Mohammad Kabuli, ka thënë dëshmitari, duke folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me media.
Po ashtu, ai ka shtuar se më shumë se 30 persona të tjerë u plagosën, raporton The Guardian, transmeton Dukagjini.
Ndërsa, spitali italian i urgjencës në Kabul tha se të paktën 27 civilë të plagosur, përfshirë pesë fëmijë, u sollën atje nga vendi i shpërthimit të bombës.
Khalid Zadran, zëdhënësi i emëruar nga talebanët për shefin e policisë së Kabulit, ka konfirmuar shpërthimin brenda xhamisë në veri të Kabulit, por nuk do të jepte një numër viktimash ose një ndarje të të vdekurve dhe të plagosurve.
Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ka dënuar shpërthimin dhe u zotua se “autorët e krimeve të tilla së shpejti do të sillen para drejtësisë dhe do të dënohen”.
Një pushtim i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), rrëzoi qeverinë e mëparshme talebane, e cila kishte pritur liderin e al-Kaidës Osama bin Laden në Afganistan, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA.
Që nga rifitimi i pushtetit, ish-kryengritësit janë përballur me një krizë ekonomike sakatuese, pasi komuniteti ndërkombëtar, i cili nuk e njeh qeverinë talebane, ngriu fondet për vendin.
Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (ISIS-K), dega afgane e Shtetit Islamik, ka shtuar sulmet në Afganistan, që kur talebanët morën pushtetin një vit më parë. Grupi terrorist ka kryer sulme me bomba kundër luftëtarëve dhe civilëve talebanë, veçanërisht myslimanëve shiitë afganë, të cilët ISIS-K i denoncon si apostata.
Javën e kaluar, një sulmues vetëvrasës i Shtetit Islamik vrau një dijetar të shquar dhe shumë të respektuar taleban brenda seminarit të tij islamik, ose medresesë, në Kabul.
Talebanët në mënyrë të përsëritur kanë pohuar se kanë degraduar ISIS-K në operacionet ushtarake. Megjithatë, kritikët vënë në dyshim këto pretendime, pas sulmeve të fundit të profilit të lartë në Kabul dhe bombave vdekjeprurëse diku tjetër në Afganistan.