Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme sot për të diskutuar një raportim të diskutueshëm të transmetuar mbrëmë në RTK.
Siç thuhet në njoftim, anëtarët e bordit të RTK-së shprehën shqetësimin e tyre për publikimin e një artikulli kontrovers, i cili ishte marrë nga mediumi boshnjak “Slobodna Bosna” dhe kërkuan sqarime të detajuara nga menaxhmenti.
“Bordi i RTK-së sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me trajtimin e një raportimi që ka ndodhur mbrëmë në RTK. Në takim janë ftuar u.d drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, drejtori i kanaleve në gjuhën shqipe, u.d kryeredaktorja e RTK-së, udhëheqësja e Mediave Online të RTK-së dhe stafi përgjegjës editorial. Bordi i RTK-së e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e një artikulli kontraverz të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak. Anëtarët e Bordit kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se në takim u shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli që apostrofonte mediat e Kosovës, duke theksuar se RTK nuk i ka përmendur ato në raportimet e saj. Stafi editorial sqaroi se bëhej fjalë për një gabim dhe u.d. drejtoresha informoi bordin se do të formojë një komision profesional për të hetuar situatën dhe për të ndriçuar përgjegjësinë editoriale. Ajo premtoi se do të merren masa rigoroze në përputhje me ligjin dhe aktet e brendshme të RTK-së.
“Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit.
U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”, thuet më tej në njoftim.
Ndërkaq, reagime të shumta kanë ardhur pas publikimit të një lajmi kontrovers nga RTK-ja për gjoja kontrollin e medieve të Kosovës nga ana e Serbisë. Deputetë e shumë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e shpërndan këtë artikull të portalit të RTK-së e madje kërkuan hetime nga prokuroria.
AGK-ja këtë e quan të papranueshëm që ka për synim intimidimin e medieve dhe gazetarëve.
“Nacionale” ka paralajmëruar padi ndaj medias në Bosnje si dhe ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara për RTK-në.