Borell për marrëveshjen për energji: Do të japë rezultate konkrete

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, e ka uruar kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë për arritjen e marrëveshjes për energji

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, marrëveshjen për energji në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur të martën e 21 qershorit, e ka cilësuar si hap konkret drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’ia uruar arritjen e marrëveshjes.

“Fola me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurtin për t’i uruar ata për arritjen e një marrëveshjeje mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai në Twitter.

Çfarë parasheh marrëveshja?

Në shtator të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës.

Në atë kohë, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi, kurse kryeministër i Serbisë, Ivica Daçiq, të cilët edhe ishin nënshkruesit e kësaj ujdie.

Marrëveshja parasheh që pos Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Ndonëse e konfirmuar në gusht të vitit 2015, e njëjta marrëveshje nuk është zbatuar asnjëherë.

Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e kompanisë serbe për energji në veri të Kosovës – Elektrokosmet, duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose t’iu ofrohet punësim në KEDS.

Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.

Sa janë humbjet?

Humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Kështu ka bërë të ditur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).

Që nga viti 2017 e deri më tani, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i, shkruan REL.

Borxhin për veriun e Kosovës, që nga viti 1999 e deri më 2017, e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRrE) në Kosovë, që t’iu paguhet rryma qytetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017, ishte anuluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Vendimi ishte anuluar pas ankesës së Avokatit të Popullit të Kosovës.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, për periudhën kohore nga 06.02.2012 deri më 20.10.2017, në vlerë prej 40.855.480 milionë eurosh”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

I njëjti vendim është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika