Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell, gjatë qëndrimit në Nju Jork ka bërë bashkë presidentët e Ballkanit Perëndimor. Në mesin e tyre ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e të tjerë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork, ka thënë se integrimi euroatlantik vazhdon të jetë rruga e vetme për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe përtej tij.
Osmani ka thënë se në takimin me përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell, ka ritheksuar se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik.
“Në takimin e sotëm të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në New York, ritheksova se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”, ka shkruar Osmani.
Lidhur me këtë takim ka reaguar dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe rikthimi te dialogu midis dy vendeve “është garanci për sigurinë në rajon”.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka thënë Begaj.