Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë një deklaratë sot, pas takimit të dialogut Beograd-Prishtinë të javës së kaluar. Sipas deklaratës së tij, të dyja palët duhet të fillojnë zbatimin në bazë të Propozimit të BE-së të rënë dakord në fillim të këtij viti pa vonesa të mëtejshme, ndërsa puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë parakusht tjetër.
Borrell tha se kërkohet që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në zbatimin e asaj që ranë dakord gjatë këtij viti.
Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm, shkruan EWB.
Ai shton se BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarë, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, ku mb disa me pasoja të rënda dhe të përhershme.
“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar”, ka thënë Borrell.
Sipas deklaratës, sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të saporekrutuar dhe popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.
Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.
“BE rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Është e nevojshme një zgjidhje më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar”, thuhet në deklaratë.
BE-ja u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e tij si ndërmjetësues i dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë vazhdon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve mes palëve. Të dy palët rrezikojnë të humbasin mundësinë për të ecur në rrugët e tyre evropiane”, përfundon deklarata.
Ndryshe, në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazike në Bruksel dhe më vonë për Aneksin e zbatimit të saj në Ohër.
Por, raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Pas këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara, ndërsa ky i fundit tha se kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes, por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.
Kurti, gjithashtu, ka akuzuar emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, për pozicionim kundër Kosovës.