Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, gjatë ditës së enjte ka thënë se çdo përpjekje për ta vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë.
Në një deklaratë për media, Borrell ka thënë se palët kanë rënë dakord dhe se marrëveshja duhet të zbatohet.
“Do të flas për takimin e Ohrit (në samitin e liderëve të BE-së) dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për ta vënë në mëdyshje”, ka thënë Borrell.
Borrell theksoi se marrëveshja duhet të zbatohet nga të dyja palët, në mënyrë tërësore.
“Është një tërësi, duhet të zbatohet nga të gjitha palët, në mënyrë tërësore dhe ne do të ndjekim me vëmendje kush zbaton e kush jo. Unë do t’i këshilloja që të mos targetojnë askënd, por të bëjnë punën e tyre”, ka shtuar Borrell.