Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se të hënën e pesë dhjetorit, në Serbi është dorëzuar drafti i fundit i propozimit të ri të BE-së për dialogun, dhe i njëjti është dorëzuar edhe në takimin midis të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë hyrjes së tij në Samitin në Tiranë, Borrell nuk ka dhënë afate sa i përket dialogut.
“Është një moment i rëndësishëm për dialogun Kosovë-Serbi. Dje në Serbi e kemi dorëzuar versionin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë, ndërsa në Kosovë e kemi dorëzuar sot”, ka thënë Borrell.
“Mosmarrëveshja për targat ka përfunduar tashmë, duhet të angazhohen për progesin për dialog në propozimin që është hedhur në tryezë, janë ata që duhet të nisin diskutimet, është një moment që ka një mundësi të madhe, në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë do t’u ofrojmë mbështetje të madhe”, ka deklaruar Borrell.
I pyetur për detajet e propozimit të ri, ai ka thënë se “nuk i ndaj dot detajet, nuk mund se duhet të vendosim ndonjë afat, me rëndësi është që të punojmë me shpejtësi, është koha për të punuar”.
Ndryshe, i dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha para gazetarëve se janë duke punuar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk më ka kohë për të humbur”, tha ai.
Këto deklarata, Lajçak i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me Kurtin, ku tha se është diskutuar edhe për çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.